Mekanizmi Kombëtar Parandalues (MKP) pranë Avokatit të Popullit, gjatë një kontrolli në spitalin psikiatrik të Demir Hisarit në dhjetor të vitit 2025, ka hasur rreth 20 persona të dënuar për vepra penale të cilët nuk vuajnë nga sëmundje mendore, por janë të shëndetshëm dhe të përgjegjshëm para ligjit. Siç thuhet në raport, përmes ekspertizave të dyshimta dhe korruptive, ata kanë arritur t’i shpëtojnë burgut dhe të dërgohen për trajtim mjekësor.

​„MKP i është drejtuar edhe Odës së Ekspertëve, me kërkesë për informacione lidhur me zbatimin e standardeve etike dhe profesionale në ekspertizat gjyqësore-psikiatrike“, deklaroi zëvendësavokatja e popullit, Sonja Trifunovska, në prezantimin e sotëm të raportit të MKP-së, i cili komunikon drejtpërdrejt me Kombet e Bashkuara.

​Ajo vuri në dukje se prej vitesh po konstatohet një „gjendje katastrofike“ në disa institucione ndëshkimore-përmirësuese, përfshirë ato në Shkup, Kumanovë, Idrizovë, Strugë dhe Ohër, si dhe në Shtëpinë Përmirësuese-Edukative në Tetovë dhe në stacionet policore ku, siç tha ajo, mbahen persona pa kushte elementare, madje edhe pa mjete për sigurimin e ushqimit.

​Trifunovska vlerësoi se punonjësit në institucionin special në Demir Hisar janë të „djegur“ nga puna (burnout) dhe të ekspozuar ndaj një rreziku të lartë, sepse, sipas saj, në vend të një sistemi sigurie burgjesh, aty vendosen persona me profil kriminal që abuzojnë me zbrazëtitë e sistemit.

​„Në dëm të pacientëve të vërtetë, stafi është i detyruar të veprojë edhe si personel sigurie, pasi një pjesë e personave që i shmangen burgut me ndihmën e sistemit, i keqtrajtojnë, i frikësojnë dhe i viktimizojnë të sëmurët. Ka edhe raste të arratisjeve, sepse institucioni nuk ka polici burgu“, theksoi ajo.

​Sipas saj, personeli mjekësor – psikiatër dhe teknikë – është i ekspozuar ndaj rrezikut profesional dhe personal, ndërsa mungesa e kuadrit dhe e burimeve e rëndon edhe më shumë situatën.
​Ajo bëri të ditur se vizita kishte për qëllim të hulumtonte gjendjen në Repartin Ligjor (Forendzik), pas informacioneve për raste problematike dhe dyshimeve rreth ekspertizave psikiatrike.
​„Ekipi i MKP-së mori dëshmi për raste në të cilat u shprehën dyshime për profesionalizmin gjatë disa ekspertizave të caktuara, me anë të të cilave persona të ndryshëm, në vend të dënimit me burg, dërgohen për trajtim mjekësor ligjor. Personeli nuk ka asnjë mënyrë se si të përballet me këto raste“, thuhet në raport.
​Trifunovska paralajmëroi se kjo gjendje krijon një shkelje serioze të parimit të barazisë para ligjit, pasi sanksionet, në vend që të bazohen në një vlerësim objektiv, mund të bëhen rezultat i ndikimit mbi ekspertizat.
​Ajo shtoi se për shkak të kësaj situate pësojnë edhe pacientët e vërtetë, të cilët marrin më pak vëmendje dhe përballen me pritje më të gjata për trajtim, gjë që rrezikon drejtpërdrejt të drejtën e tyre për mbrojtje shëndetësore.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume