Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, ka theksuar nevojën për një proces të besueshëm, të parashikueshëm dhe të bazuar në meritë për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian (BE), transmeton Anadolu.

Në një postim në rrjetin social amerikan X pas pjesëmarrjes në Forumin e Dubrovnikut, Mucunski tha se diskutimet u përqendruan në të ardhmen e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe perspektivën evropiane të rajonit.

Ai theksoi se integrimi gradual mund të jetë një instrument i vlefshëm vetëm nëse shërben si urë drejt anëtarësimit të plotë në BE dhe jo si një “dhomë pritjeje e përhershme” për vendet aspirante.

Mucunski riafirmoi angazhimin e Maqedonisë së Veriut për vazhdimin e reformave dhe harmonizimin e plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së.

Sipas kryediplomatit maqedonas, integrimi evropian i Ballkanit Perëndimor përbën një interes të përbashkët strategjik që kontribuon në forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit të Evropës.

“Momenti për zgjerimin është këtu. Varet nga të gjithë ne që ta shfrytëzojmë këtë mundësi”, tha Mucunski.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume