Adnan Azizi

Kur një pushtet bëhet autoritar, i zhytur në korrupsion dhe i pandjeshëm ndaj halleve të qytetarëve, ai rrallë e kërkon fajin te vetja. Përkundrazi, pas çdo revolte qytetare fillon kërkimi i armiqve imagjinarë, brenda dhe jashtë vendit. Sepse për pushtetin që ka humbur vetëdijen, pranimi i gabimit është më i rrezikshëm sesa shpikja e një armiku.
Historia na mëson se pushteti që nuk pranon kritikën, me kalimin e kohës fillon ta shohë popullin si kundërshtar, jo si burimin e legjitimitetit të tij. Kjo është pika ku demokracia fillon të zbehet dhe propaganda zë vendin e përgjegjësisë.
Në shumë vende të Ballkanit, shpesh krijohet përshtypja se pushteti nuk trajtohet si mandat i përkohshëm, por si pronë personale. Pas dekadash në qeverisje, disa janë aq të lidhur me privilegjet e pushtetit, sa çdo pakënaqësi qytetare e interpretojnë si komplot, jo si thirrje për reflektim.
Kur një popull del në protestë, pyetja e parë që duhet të bëjë një qeveri është: “Çfarë kemi bërë gabim?” Nëse pyetja e parë është “Kush fshihet pas tyre?”, atëherë problemi nuk është më protesta, por mënyra se si pushteti e kupton demokracinë – të vërtetën.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume