Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi nga Kavadari se Qeveria mbetet e përkushtuar në mbështetjen e projekteve kapitale në komuna, duke theksuar se investimet lokale janë një nga prioritetet kryesore të ekzekutivit informon Tetovasot.

Në fjalimin e tij, Mickoski falënderoi kryetarin e Komunës së Kavadarit, këshilltarët komunalë, administratën dhe deputetët e zonës për, siç tha, angazhimin e tyre në sigurimin e sa më shumë projekteve për qytetarët.

“Vetëm me punë ekipore mund të realizojmë më shumë projekte dhe të bëjmë diçka konkrete për qytetarët, që është edhe detyra jonë kryesore si politikanë”, u shpreh Mickoski.

Ai falënderoi edhe ministrin e Sportit dhe anëtarët e tjerë të Qeverisë për angazhimin në zbatimin e projektit të decentralizimit të mjeteve financiare nga buxheti qendror drejt komunave.

Sipas kryeministrit, në më shumë se dy vjet qeverisje janë realizuar ose janë në zhvillim mbi 1.200 projekte në të gjithë territorin e vendit, një shifër që ai e cilësoi si të paprecedentë në Maqedoninë e pavarur.

“Po flasim për më shumë se 1.200 projekte dhe mbi 1.200 kantierë ndërtimi në të gjithë vendin. Ky është një sukses që matet përmes treguesve ekonomikë dhe përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve. Prandaj, do të vazhdojmë edhe në vitet në vijim me këtë model pune, sepse projektet e suksesshme duhet të kenë vazhdimësi”, deklaroi Mickoski.

Në përfundim, ai uroi mbarësi për fillimin e ndërtimit të objektit në Kavadar dhe shprehu pritjen që pas rreth një viti të rikthehet në të njëjtin vend për ta inauguruar investimin.TS

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume