Temperaturat në rritje, por stuhitë nuk ndalen – DPHM paralajmëron mot të paqëndrueshëm gjatë javës
Temperaturat do të vazhdojnë të rriten, por moti i paqëndrueshëm nuk do të mungojë as gjatë kësaj jave. Sipas Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike, sot pritet mot kryesisht me diell, me vranësira të pakta deri mesatare.
Megjithatë, gjatë orëve të pasdites, në disa rajone vendi mund të ketë destabilizim të përkohshëm të motit, i shoqëruar me reshje të rrëmbyeshme shiu dhe bubullima. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtimi veriperëndimor.
Temperaturat e mëngjesit do të lëvizin nga 9 deri në 19 gradë Celsius, ndërsa ato ditore do të arrijnë nga 26 deri në 34 gradë.
Në Shkup pritet mot me diell dhe me vranësira të herëpashershme mesatare. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtimi verior. Temperatura minimale do të jetë rreth 15 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë deri në 32 gradë Celsius.
Nga DPHM bëjnë të ditur se deri në fund të javës së punës, si dhe gjatë ditëve të para të fundjavës, moti paradite do të jetë me vranësira të ndryshueshme dhe intervale me diell. Pasdite pritet sërish mundësi për jostabilitet lokal, me reshje të rrëmbyeshme shiu, erë të përforcuar dhe bubullima.
Kushtet më të mëdha për reshje dhe stuhi lokale priten të martën, ndërsa temperaturat ditore do të shënojnë rritje graduale.