Studentët dhe profesorët e programit studimor Psikologji të Universitetit të Tetovës morën pjesë në
Shkollën Verore të Psikologjisë Sociale me temë “Marrëdhëniet ndëretnike në Ballkanin
Perëndimor në fokus: Identiteti, paragjykimet dhe kohezioni social”, e cila u organizua më 6 dhe 7
korrik 2026 në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës.
Shkolla Verore u organizua nga Departamenti i Psikologjisë i Universitetit të Prishtinës, në
bashkëpunim me Shoqatën e Psikologjisë Sociale Shqiptare, me synimin për të nxitur dialogun
dhe shkëmbimin e njohurive mbi temat bashkëkohore të psikologjisë sociale, me fokus të veçantë
marrëdhëniet ndëretnike, identitetin, paragjykimet dhe kohezionin social në Ballkanin Perëndimor.
Në këtë aktivitet ishin të pranishëm studentë, studiues dhe profesorë nga universitetet e Kosovës,
Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, ku u theksua nevoja për bashkëpunim akademik dhe
ndërveprim shkencor. 
Në kuadër të programit, profesorët e programit studimor të Psikologjisë të Universitetit të Tetovës
dhanë kontributin e tyre përmes ligjëratave dhe diskutimeve shkencore, duke ndarë përvojat dhe
rezultatet e kërkimeve të tyre në fushën e psikologjisë sociale. Pjesëmarrja në këtë aktivitet paraqet
një mundësi të vlefshme për studentët dhe stafin akademik të Universitetit të Tetovës për të
shkëmbyer njohuri dhe përvoja me kolegë nga universitetet e rajonit, duke nxitur bashkëpunimin
shkencor, dialogun akademik dhe zhvillimin e mëtejshëm profesional.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume