Procesi për mbylljen paraprake të tre kapitujve të parë negociues të Shqipërisë me Bashkimin Evropian po hyn në fazën vendimtare. Pas diskutimeve të zhvilluara edhe gjatë së enjtes në Grupin e Punës për Zgjerimin (COELA), ku shtetet anëtare vijuan shqyrtimin e draft-pozicioneve të përbashkëta të Bashkimit Evropian për Shqipërinë, vëmendja tashmë zhvendoset te mbledhja e Komitetit të Përfaqësuesve të Përhershëm (COREPER), e planifikuar për të premten e 10 korrikut.

Në rendin zyrtar të punimeve të COREPER II, Shqipëria është përfshirë si pikë e veçantë e agjendës, ku pritet miratimi i pozicioneve të përbashkëta të Bashkimit Evropian për Kapitullin 25 (Shkenca dhe Kërkimi), Kapitullin 26 (Arsimi dhe Kultura) dhe Kapitullin 30 (Marrëdhëniet me Jashtë). Miratimi në COREPER konsiderohet hapi i fundit politik përpara zhvillimit të Konferencës Ndërqeveritare BE-Shqipëri, e cila është planifikuar të mbahet më 14 korrik në Bruksel, paralelisht me mbledhjen e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme (GAC).

Më herët, Komisioni Evropian ka vlerësuar se Shqipëria ka përmbushur standardet për mbylljen paraprake të këtyre tre kapitujve, ndërsa edhe qeveria holandeze ka bërë të ditur se mbështet propozimin, duke argumentuar se vendi ka plotësuar kriteret e kërkuara.

Sipas burimeve diplomatike të Albanian Post, diskutimet teknike në COELA kanë ecur pozitivisht dhe nuk janë shfaqur kundërshtime që do të pengonin avancimin e procedurës. Balanca mes vendeve anëtare vijon të orientohet drejt një konsensusi për miratimin e pozicioneve të përbashkëta.

Nëse ambasadorët e vendeve anëtare japin miratimin përfundimtar në COREPER, Presidenca irlandeze e Këshillit të Bashkimit Evropian do të konfirmojë zyrtarisht zhvillimin e Konferencës Ndërqeveritare me Shqipërinë më 14 korrik.

Në atë konferencë pritet të formalizohet mbyllja paraprake e Kapitullit 25 – Shkenca dhe Kërkimi, Kapitullit 26 – Arsimi dhe Kultura dhe Kapitullit 30 – Marrëdhëniet me Jashtë, duke shënuar herën e parë që Shqipëria mbyll kapituj negociues që prej nisjes së negociatave të anëtarësimit.

Ky do të përbënte një moment historik në procesin e integrimit evropian të vendit, pasi do të demonstronte kalimin nga faza e hapjes së grup-kapitujve në fazën e parë të mbylljes së tyre, një hap që konsiderohet tregues i progresit të negociatave.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume