Zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli, ka njoftuar se gjatë dy viteve të fundit janë siguruar mbi 7 milionë euro për realizimin e 29 projekteve infrastrukturore në territorin e Komunës së Tetovës.

Zekolli, së bashku me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Transportit, Aleksandar Nikoloski, si dhe kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, promovuan përfundimin e rikonstruksionit të rrugës “Shtipi”.

Sipas saj, projekti synon përmirësimin e sigurisë në komunikacion, qarkullimit dhe cilësisë së infrastrukturës për qytetarët e Tetovës.

Projekti, me vlerë mbi 17,5 milionë denarë, përfshiu rikonstruksionin e plotë të rrugës, ndërtimin e kanalizimit atmosferik dhe trotuareve, vendosjen e ndriçimit publik dhe sinjalistikës rrugore.

“Për vetëm dy vite qeverisje kemi siguruar mbi 7 milionë euro për realizimin e 29 projekteve infrastrukturore në territorin e Komunës së Tetovës”, deklaroi Zekolli.

Ajo theksoi se Qeveria mbetet e përkushtuar për vazhdimin e investimeve me të njëjtin ritëm, duke paralajmëruar promovimin e projekteve të tjera në Tetovë.

“Me VLEN, puna shihet në terren”, përfundoi Zekolli.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume