Në një aksion të përbashkët të Policisë Maqedonase, Shërbimit Amerikan të Sigurisë Diplomatike (DSS) dhe organeve të sigurisë së Shqipërisë, në Durrës janë arrestuar dy anëtarë të grupit të organizuar kriminal “Bellanoca”.

​Bazuar në informacionet e Policisë Maqedonase, në Durrës të R. së Shqipërisë është zhvilluar një operacion policor ndërkombëtar, me ç’rast është privuar nga liria M.Xh. (26 vjeç), i lindur në Shkup. Siç raportojnë mediat, bëhet fjalë për vrasësin e rrezikshëm Musa Xhavit, i cili në korrik të vitit të kaluar vrau një ushtar të ARM-së në fshatin Batinci të Shkupit.

​Në kohën e kryerjes së kësaj vepre penale, ai kërkohej prej një viti me fletarrest ndërkombëtar për një vrasje tjetër. I arrestuari i tanishëm është Musa Xhavit me një skedë të gjerë kriminale, i cili brenda një viti ka qëlluar për vdekje dy persona. Vrasjet i ka kryer në vitet 2024 dhe 2025 në mes të ditës në fshatin Batinci të Shkupit.

​Vrasja e korrikut të vitit të kaluar tronditi opinionin publik, kur para hyrjes së Batincit, me dy plumbë u vra 50-vjeçari Agim Muaremi, oficer i ARM-së. Ai u qëllua para syve të vajzës së tij derisa po lëviznin me automjet.

​Deri në qershor të vitit 2024, Xhavit kishte vuajtur vetëm një dënim me burg për armëmbajtje pa leje. Mirëpo, vetëm një muaj pas lirimit të tij, ai kreu vrasjen e parë.