Studenti Veib Kamberaj ka reaguar publikisht ndaj deklaratave të deputetit të VLEN-it, Bekim Qoku, i cili një ditë më parë në një studio televizive foli për situatën në Qafë Thanë dhe për ndalimin e studentëve që udhëtonin drejt Maqedonisë së Veriut informon Tetovasot.

Në reagimin e tij, Kamberaj thotë se ajo që u deklarua publikisht nuk përputhet me realitetin që përjetuan studentët në kufi.

“Ne u mbajtëm për rreth tetë orë në kufi me Serbinë, pa ujë, pa ushqim dhe pa mundësinë për të kryer nevojat personale, në një situatë të papranueshme për këdo, aq më tepër kur shumica ishin vajza. Kjo nuk është interpretim, por një fakt i drejtpërdrejtë”, shkruan Kamberaj.

Sipas tij, çdo përpjekje për ta paraqitur situatën si të menaxhuar ose nën kontroll bie ndesh me atë që ndodhi në terren.

Kamberaj kundërshton edhe pretendimet se studentët nuk e dinin arsyen e udhëtimit apo se prania e tyre ishte e motivuar politikisht.

“Të thuash se nuk e dinim pse kishim ardhur apo të tentosh ta politizosh praninë tonë është e pasaktë dhe e padrejtë”, thekson ai.

Studenti shprehet se deputeti Bekim Qoku ka qenë i informuar për situatën, por sipas tij e ka konsideruar atë normale.

“Një qasje e tillë jo vetëm që nuk justifikohet, por ngre pikëpyetje serioze mbi përgjegjësinë dhe rolin tuaj në këtë ngjarje”, shkruan Kamberaj.

Ai falënderon Ambasadën e Shqipërisë dhe ambasadorin për ndërhyrjen, duke theksuar se vetëm pas angazhimit të tyre studentët u shoqëruan drejt ambasadës, në një kohë kur protesta kishte përfunduar prej orësh.

“Kur realiteti që përjetohet nga dhjetëra studentë bie kaq hapur ndesh me atë që thuhet publikisht, atëherë nuk kemi më të bëjmë me interpretim, por me një shtrembërim të së vërtetës që duhet thënë qartë dhe pa ekuivok”, përfundon reagimi i studentit Veib Kamberaj.Tetovasot

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume