Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dje u takua me atë të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamzën, e më pas edhe me të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun.
Këto ishin takimet e para mes tyre që prej certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit ku LVV-ja mori 47.13 për qind të votave krahas 19.44 për qind të PDK-së dhe 16.69 për qindshit të LDK-së.

Nga i pari i Aleancës, Ardian Gjini, Kurti qe refuzuar që në start. Ama, çfarë përgjigje mori nga dy të tjerët që i vajtën për t’u takuar?

…nëse mori një të tillë.

Takimi i parë u zhvillua me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza. Pas përfundimit të takimit, Kurti e cilësoi atë si konstruktiv dhe në frymën e vullnetit për t’i dhënë Kosovës institucione të reja, por bëri të ditur se nuk ishte arritur ndonjë marrëveshje konkrete.

“Me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamzën u takuam së pari në këtë raund të këtyre takimeve. Unë e falënderoj kryetarin Hamza, për këtë takim, i cili ishte takim i parë dhe konstruktiv, i cili kaloi në atmosferë të vullnetit të interesimit për t’i dhënë institucioneve të reja Kosovës në përputhje me vullnetin e popullit”, tha Kurti pas takimit.

“Aktualisht nuk mund të themi se kemi një rezultat konkret, ndonjë të arritur që ta ndajë me popullin”.
Në anën tjetër, Hamza bëri të qartë pas takimit se PDK-ja do të mbetet në opozitë, por premtoi se vota e tyre për marrëveshjet financiare ndërkombëtare dhe marrëveshjet e tjera që kërkojnë dy të tretat e votave do të jetë pro.

“Partia Demokratike e Kosovës për këtë mandat është parti në opozitë, dhe ne i dëshirojmë sukses z.Kurtit dhe të gjithë atyre që takohen dhe bisedojnë, dhe i japin vendit institucione…Ne do të bashkëpunojmë me të gjitha forcat politike, me të gjitha grupet brenda Kuvendit të Kosovës, dhe kjo do të jetë edhe në interes të qytetarëve të Kosovës”, tha Hamza.

“Për të gjitha ato çështje ku është interesi i Kosovës, PDK-ja ka dëshmuar qëndrimin e saj. Unë kam premtuar dhe e përsëris se vota e PDK-së do të jetë votë pro për marrëveshjet financiare ndërkombëtare dhe marrëveshjet e tjera që kërkojnë dy të tretat e votave, si dhe për marrëveshjet që janë në interes të Kosovës”.
Ndërsa Kurti dje komentoi edhe refuzimin e ftesës nga kryetari i AAK-së, Ardian Gjini.

“LVV është fituese e zgjedhjeve, ne edhe nëse nuk do të jemi bashkë në qeveri, padyshim se do të jemi bashkë në institucione. Nuk besoj që është në rregull që një parti e respektuar siç është AAK-ja të refuzojë takimin me mua si kryeministër dhe kryetar i partisë fituese”, deklaroi ai.

Më vonë gjatë ditës, Kurti u takua me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i cili ishte në shoqërinë e Vjosa Osmanit.

Pas takimit, Kurti u shpreh optimist ndonëse njoftoi se nuk u arrit ndonjë gjë konkrete duke mëtuar për takime të tjera.

“Ishte takimi i parë. I kemi edhe katër javë përpara për fillimin e seancës konstituive për të zgjedhur kryetarin apo kryetaren e Kuvendit, kryesinë e më pastaj edhe për qeverinë në mandat të ri dhe presidentin apo presidenten. Kemi diskutuar për të gjitha këto, por ende nuk kemi ndonjë konkluzion apo të arritur që do të mund ta ndanim me ju”, tha Kurti pas takimit me Abdixhikun.

“Jam optimist për rrugën përpara, jam me shpresë që racionaliteti që po mbizotëron do të vazhdojë të ekzistojë në këto takime, prandaj edhe po e theksoj që është takimi i parë, meqë do të ketë edhe takime tjera”.
Edhe Abdixhiku e vlerësoi pozitivisht takimin, duke bërë të ditur se palët diskutuan për nevojën e stabilitetit institucional dhe shmangien e zgjedhjeve të reja.

“Folëm për stabilitetin e domosdoshëm institucional dhe shmangien e domosdoshme të zgjedhjeve të ardhshme, të katërtat me radhë në më pak se një vit e gjysmë”, tha Abdixhiku.

“U dakorduam të vazhdojmë tutje me komunikim si formë e vetme për të shmangur zgjedhje të reja”.
Ai më tutje tha se një takim i vetëm nuk ishte i mjaftueshëm për të trajtuar të gjitha temat, por e cilësoi atë si një hap të rëndësishëm drejt bisedimeve të mëtejshme.

Kështu që…to be continued.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume