Ardhja e eurokomisioneres për zgjerim Marta Kos me vete solli mesazhin tashmë të njohur dhe të përsëritur nga zyrtarë të BE-së, se rruga e integrimit të vendit kalon përmes ndryshimeve kushtetuese dhe reformave, vlerëson ish ambasadori Nano Ruzhin. Sipas tij, kontesti me Bullgarinë vazhdon të shihet në dy dimensione: nisja nga ajo se kemi përplasje në emërtimin e problemit me fqiun lindor, të clin BE-ja e ndan si relacion me RMV-në ndërkaq, politikanët vendorë e cilësojnë si mosmarrëveshje me Sofjen. Më tej, njohësi i çështjes është shumë skeptik nëse BE-ja mund të japë garanci në avancë për vendin, duke shtuar se në historinë e zgjerimit nuk ka ndodhur një gjë e tillë.

“Ajo përkujtoi se vendi ynë, udhëheqësia duhet të punojë më shumë në kuptim të plotësimit të kornizës negociuese, e cila para së gjithash kërkon reforma dhe ndryshime që tashmë do të thoja janë probleme anakronike, historike për përfshirjen e pakicave bullgare dhe të të tjerëve në preambulën e kushtetutës tonë. Kësaj radhe, BE-ja e cila me të drejtë këtë problem e trajton si raport mes multilaterales së BE-së dhe Maqedonisë së Veriut, ndërsa ne si problem bilateral mes Shkupit dhe Sofjes… Ekzistojnë shanse të vogla ose aspak që të ndryshohet praktika e deritanishme e BE-së, respektivisht të jepen garanci se me siguri BE-ja dhe Bullgaria nuk do të imponojnë kërkesa të reja.”, u shpreh ish ambasadori Nano Ruzhin.

Ruzhin me rekomandim edhe për strukturën politike, që sipas tij duhet të jetë më e vendosur, të mos ketë frikë dhe ta shohë para së gjithash interesin shtetëror. Po ashtu shtron nevojën për intensifikim bisedimesh me Sofjen dhe fuqizimin e diplomacisë në takimet me funksionarët evropian.

“Kjo elitë politike sikur nuk është e disponuar, me të drejtë edhe e dëshpëruar nga procedurat e deritanishme dhe kushtet që i imponohen shtetit tonë. Por, nuk duhet të ketë ashtu qëndrim të ngurtë, vlerësoj se sërish bisedimet por edhe përmirësimi i raporteve me fqiun mund të jenë një rrugë e mirë drejt BE-së dhe mos të harrojmë se ata janë brenda e ne jashtë BE-së. Unë i kuptoj frustracionet edhe të Mickoskit, garniturës politike dhe opozitës të cilët kujtohen për të gjitha padrejtësisë që ka bërë BE-ja sidomos në vitin 2018 me përfshirjen e metodologjisë së re. E kuptueshme është të ekzistojnë do të thoja një rezistencë mes opinionit publik në Maqedoni. Por politikani duhet të ndërmarrë rrezik, për atë është politikan, të shohë përpara, të jetë i vetëdijshëm se në politikë, në diplomaci ekziston kompromisi, kompromis që do të thotë jo vetëm të jesh fitues por ndonjëherë të pranosh se ndonjëherë mund të humbësh diçka çka ke shpresuar.”, u shpreh Ruzhin.

Ndryshe, eurokomisionerja Marta Kos dha mesazhin e qartë se vendi po përparon në reforma, por pa ndryshimet kushtetuese nuk mund të hapen negociatat reale me Unionin, duke shtuar gjithashtu se për asnjë vend aspirues BE- ja nuk ka dhënë garanci paraprake.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume