Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, vlerësoi se kaosi i djeshëm në Kuvend ishte një teatër për të mbuluar dështimin e plotë të Qeverisë dhe mungesën e rezultateve të Hristijan Mickoskit.
“Dje, ai krijoi kaos për të mbuluar paaftësinë e tij, faktin se Qeveria nuk ka absolutisht asnjë rezultat në asnjë segment të funksionimit të saj dhe po përpiqet të krijojë një alibi për zgjedhje të parakohshme, sepse tha se nuk kishte asnjë, tani i duhet urgjentisht një alibi”, theksoi Filipçe.
Kur nuk ka rezultate në ekonomi, kur çmimet po rriten dhe standardi i jetesës po bie, Mickoski në vend që të ofrojë zgjidhje zgjedh fyerjet dhe kërcënimet ndaj deputetëve të opozitës.
“Dhe kur nuk ka rezultate, kur nuk ka zgjidhje, Mickoski i fyen dhe i kërcënon deputetët në Kuvend. Ai i quan qytetarët llum të shoqërisë, brejtës, mediokritet, molusqe, ka zgjedhur lloj-lloj fjalësh përçmuese në të kaluarën, dhe tani ka filluar t’i fyejë edhe deputetët në Kuvend. Për më tepër, fyerjet thonë shumë më tepër për të sesa për çdo gjë tjetër. A është ky profesor universiteti? A është ky kryeministër, kryetar i qeverisë?”, tha Filipçe.
Lidhur me kërkimfaljen e Mickoskit, Filipçe vlerësoi se ishte teatër politik pa asnjë përgjegjësi të vërtetë.
“Ai krijoi vetëm një iluzion, kërkoi falje në një sallë të zbrazët, kur deputetët e opozitës u larguan nga salla… kështu bëri teatër politik. Një “ndjesë” e turpshme dhe e sforcuar. Megjithatë, kjo nuk mund t’i fshijë fyerjet dhe mënyrën e tij të sjelljes”, tha Filipçe.