Revizioni zbulon parregullsi në “Higjiena Komunale Shkup”: Borxhe, automjete të amortizuara dhe punësime pa plan
Enti Shtetëror i Revizionit ka konstatuar probleme serioze financiare, organizative dhe teknike në Ndërmarrjen Publike “Higjiena Komunale Shkup”. Sipas raportit të revizionit për vitin 2024, një nga problemet kryesore është gjendja e parkut të automjeteve. Nga gjithsej 189 automjete speciale komunale, vetëm 76 janë funksionale.
“Gjithsejt113 automjete janë jashtë përdorimit, 80 janë të prishura, ndërsa 33 të dëmtuara rëndë. Mosha mesatare e automjeteve është rreth 15 vjet. Kjo gjendje ul kapacitetin e ndërmarrjes për të kryer shërbimet komunale dhe rrezikon cilësinë dhe vazhdimësinë e grumbullimit të mbeturinave”, thuhet në raportin e Entit Shtetëror të Revizionit.
Sipas Revizionit, probleme janë konstatuar edhe me financat. Ndërmarrja ka borxhe prej rreth 737 milionë denarësh, ose afërsisht 12 milionë euro. Për shkak të mungesës së mjeteve financiare, ka vonesa në pagesat ndaj furnizuesve, çka sjell kamata, ndëshkime dhe rrezik për bllokim të llogarive. Revizioni konstaton se një pjesë e madhe e kërkesave ndaj shfrytëzuesve janë të pasigurta për arkëtim. Bëhet fjalë për rreth 127 milionë denarë, apo mbi 2 milionë euro, ku problemi lidhet me regjistrimin e përdoruesve pa verifikim të plotë dhe mungesën e kontratave. Raporti tregon se probleme janë gjetur edhe në menaxhimin e rezervave. Rreth 40 për qind e pjesëve rezervë në magazina janë blerë në vitin 2009 dhe sot konsiderohen të vjetruara dhe me vlerë të ulët përdorimi. Sipas raportit, gjatë vitit 2024 ndërmarrja ka angazhuar 354 persona përmes një agjencie private punësimi, me shpenzime prej rreth 186 milionë denarësh, për shkak të mungesës së planeve të miratuara për punësim.
“Për shkak të mosmiratimit të Planeve Vjetore për Punësim nga themeluesi, ndërmarrja publike gjatë vitit 2024 nëpërmjet agjencisë private për punësim, ka angazhuar 354 persona si ofrues shërbimesh, nëpunës administrativë dhe personel ndihmës-teknik, duke evidentuar shpenzime në vlerë rreth 186 milionë denarë që tregon mungesë të qëndrueshmërisë së burimeve njerëzore që duhet të kryejnë detyrat e rregullta të punës në ndërmarrje”, theksohet në raportin e Entit Shtetëror të Revizionit.
Revizorët kanë evidentuar edhe parregullsi në llogaritjen e pagës së drejtorit dhe në pagesat për punë jashtë orarit. Në raportin e revizionit thuhet se përgjegjës për raportet financiare gjatë periudhës së kontrolluar kanë qenë ish drejtori Goce Trajkovski dhe drejtori Jeton Neziri, i cili mori drejtimin e ndërmarrjes në gusht të vitit 2024 si ushtrues detyre. Enti Shtetëror i Revizionit rekomandon ndërmarrjen e masave për përmirësimin e gjendjes financiare, modernizimin e parkut të automjeteve dhe përmirësimin e menaxhimit, me qëllim sigurimin e shërbimeve më efikase për qytetarët./Alsat