Sot, gjatë debatit për prioritetet e Presidencës irlandeze të Këshillit të Bashkimit Evropian, theksova se pengesa më e madhe në rrugën tonë drejt BE-së nuk është mungesa e mbështetjes nga Brukseli, por mungesa e vullnetit për të përmbushur detyrimet që i kemi marrë vetë përsipër.
Folëm për reformat, ekonominë, sundimin e ligjit dhe përgjegjësinë institucionale. Por nuk mund të flasim për standarde evropiane, ndërsa në të njëjtën sallë të Kuvendit tolerohen fyerjet ndaj deputetëve të opozitës dhe përdoret retorikë që vë në dyshim barazinë e qytetarëve.
Vetëm dy ditë më parë pamë një kandidat për ministër që ofendoi deputetët e opozitës, pa kërkuar asnjëherë falje. Po atë ditë dëgjuam edhe deklarata të Kryeministrit që lanë përshtypjen se disa çështje qenkan rezervuar vetëm për maqedonasit, ndërsa të tjerët nuk duhet të përzihen.
Evropa nuk ndërtohet mbi arrogancën, përjashtimin apo mungesën e dialogut. Ajo ndërtohet mbi respektin, barazinë dhe kulturën demokratike.
Në fund, pyetja nuk është vetëm cilat janë prioritetet e Presidencës irlandeze.
Pyetja është: a kemi ne vullnetin politik dhe pjekurinë institucionale për t’i bërë prioritetet evropiane edhe prioritetet tona?

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume