Gazeta Flaka shpreh solidaritet dhe mbështetje për kolegun tonë, gazetarin dhe pronarin e portalit Tetova Sot, Rami Mislimi, pas pretendimeve të tij publike se është kërcënuar nga Albi Qamili.

Mislimi ka publikuar në rrjetet sociale një fotografi para objektit të Komunës së Tetovës, duke shkruar:

“Jam para Komunës së Tetovës dhe pres Albi Qamilin me ma shkerdhy vajzën 2-vjeçare dhe me më vra! Po e pres para Komune!”

Nëse këto pretendime rezultojnë të sakta, bëhet fjalë për një rast jashtëzakonisht të rëndë dhe të papranueshëm, që tejkalon çdo kufi të debatit politik apo publik. Çdo kërcënim ndaj një gazetari, e aq më tepër kur përfshin familjen dhe një fëmijë të mitur, përbën sulm serioz ndaj lirisë së shprehjes, sigurisë personale dhe vlerave demokratike.

Rasti bëhet edhe më shqetësues për shkak se Albi Qamili njihet si person i angazhuar në sferën e komunikimit publik dhe marrëdhënieve me publikun, i lidhur me strukturat e Lëvizjes Besa dhe koalicionit VLEN, si dhe si administrator i disa faqeve informative në rrjetet sociale.

Gazeta Flaka dënon çdo formë kërcënimi, presioni apo intimidimi ndaj gazetarëve, pavarësisht bindjeve politike apo mediumit ku punojnë. Liria e medias nuk mund të mbrohet me standarde të dyfishta.

Njëkohësisht, u bëjmë thirrje organeve kompetente që të trajtojnë me seriozitet këto pretendime, të zbardhin rrethanat e rastit dhe, nëse konstatohen elemente të veprës penale, të ndërmarrin veprimet përkatëse në përputhje me ligjin.

Solidariteti me gazetarët nuk duhet të varet nga përkatësia e tyre mediatike apo politike. Çdo sulm ose kërcënim ndaj një gazetari është sulm ndaj të drejtës së publikut për t’u informuar lirshëm.

Flaka: Dënojmë kërcënimin ndaj kolegut Rami Mislimi, kërkojmë reagim institucional

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume