Imrane Veliu Aliu reagon ndaj kërcënimeve të Rami Mislimit: “Përmendja e një fëmije 2-vjeçar në kërcënim është tejkalim i çdo kufiri”
Imrane Veliu Ali ka reaguar publikisht pas pretendimeve për kërcënimet ndaj gazetarit Rami Mislimi, duke dënuar ashpër përfshirjen e një fëmije 2-vjeçar në një konflikt të tillë.
Në reagimin e saj, ajo shprehet se në politikë ka parë raste të shumta paragjykimesh dhe sulmesh, por thekson se përmendja e një fëmije të mitur në një kërcënim është diçka që, sipas saj, tejkalon çdo kufi.
“Të përmendet një fëmijë 2-vjeçar në një kërcënim… kjo është diçka që nuk e kam menduar se do ta shoh ndonjëherë në vendin tim”, shkruan Veliu Ali.
Ajo nënvizon se fëmijët nuk duhet të bëhen pjesë e përplasjeve politike dhe nuk mbajnë përgjegjësi për bindjet, profesionin apo angazhimin e prindërve të tyre.
“Fëmijët nuk janë pjesë e betejave politike. Janë disa kufij që nuk duhen kaluar kurrë, sepse kur humbet ky kufi, humbet edhe njerëzorja”, thekson ajo.
Në fund të reagimit, Imrane Veliu Ali i ka shprehur mbështetje gazetarit Rami Mislimi dhe familjes së tij, duke u uruar forcë dhe qetësi, ndërsa ka bërë thirrje që institucionet kompetente të veprojnë.