Ambasadori Meidani solidarizohet me gazetarin Mislimi: Kërcënimet ndaj gazetarëve nuk kanë asnjë justifikim
Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, ka reaguar publikisht pas kërcënimeve dhe fyerjeve të drejtuara ndaj gazetarit Rami Mislimi nga zëvendëskryetari i Komunës së Tetovës, Albi Qamili.
Përmes një reagimi publik, Meidani thekson se në një shoqëri demokratike, çdo person që ushtron funksion publik duhet të jetë i gatshëm t’i nënshtrohet kritikës publike, ndërsa përgjigjja ndaj saj duhet të jepet me argumente dhe jo me kërcënime.
“Në një shoqëri demokratike, kush mban përgjegjësi publike i nënshtrohet edhe kritikës publike. Përgjigjja ndaj saj jepet me argumente, ndërsa ndaj çdo teprimi përmes rrugëve institucionale; kurrë me kërcënime”, shkruan ambasadori.
Ai dënon pa asnjë rezervë kërcënimet ndaj gazetarëve dhe qytetarëve, duke nënvizuar se veprime të tilla nuk mund të justifikohen në asnjë rrethanë.
“Kërcënimi i gazetarëve, apo i çdo qytetari, nuk ka asnjë justifikim dhe meriton një dënim të qartë nga të gjithë, pa dallim. Kur në këto akte përfshihen familjarët, e aq më tepër fëmijët, tejkalohet çdo kufi i një shoqërie të civilizuar”, thekson Meidani.
Ambasadori shqiptar shpreh solidaritet të plotë me gazetarin Rami Mislimi dhe familjen e tij, duke e cilësuar mbrojtjen e gazetarëve si një parim themelor të demokracisë.
“I shpreh solidaritetin tim gazetarit Rami Mislimi dhe familjes së tij. Liria e medias dhe siguria e gazetarëve nuk janë çështje simpatie apo përkatësie, ato janë kushte themelore të demokracisë dhe standarde të pandashme të rrugës evropiane”, përfundon reagimi i ambasadorit Meidani.