Rubini Maqedonas dhe pasuria natyrore e Maqedonisë marrin një mbështetje të re – është nënshkruar Memorandum për promovimin e trashëgimisë gjeologjike
Pas hapit të rëndësishëm që ndërmori Ministria e energjisë, minierave dhe burimeve
minerale me vendosjen e mbrojtjes institucionale të rubinit maqedonas si një pasuri
minerare autentike e Maqedonisë, tani fillon një fazë e re – promovimi i tij, së bashku me
të gjithë trashëgiminë gjeologjike të shtetit.
Ministrja e energjisë, minierave dhe burimeve minerale, Sanja Bozhinovska, dhe kryetari
i Shoqatës për Promovimin e Shkencave Natyrore „Otkritie“, Ilija Petkovski, nënshkruan
sot një Memorandum Bashkëpunimi, me të cilin bashkojnë kapacitetet institucionale,
shkencore dhe profesionale për promovimin, mbrojtjen dhe vlerësimin e trashëgimisë
gjeologjike, pasurisë minerare dhe trashëgimisë paleontologjike.
Memorandumi përfaqëson vazhdimin e angazhimeve të Ministrisë për afirmimin,
mbrojtjen, vlerësimin dhe promovimin e pasurisë minerare të Maqedonisë. Pas
vendosjes së mbrojtjes ligjore të rubinit maqedonas, hapi i radhës është prezantimi i tij
më i gjerë para publikut vendas dhe ndërkombëtar, si një nga simbolet më të njohura të
trashëgimisë gjeologjike të maqedonisë.
„Maqedonia zotëron një trashëgimi gjeologjike jashtëzakonisht të pasur, e cila për
dekada me radhë ka qenë e promovuar në mënyrë të pamjaftueshme. Është një pasuri
që meriton shumë më tepër dukshmëri. Qëllimi ynë është ta bëjmë atë të qasshme për
publikun, të zhvillojmë ndërgjegjësimin shkencor, ta afrojmë gjeologjinë te qytetarët, të
nxisim interesimin e të rinjve për shkencat natyrore, të zhvillojmë gjeoturizmin dhe të
tregojmë se pasuritë natyrore janë pjesë e identitetit tonë kombëtar dhe e potencialit
tonë zhvillimor. Rubini maqedonas është një nga këto simbole më të çmuara dhe
meriton të prezantohet me dinjitet para botës”, theksoi ministrja Bozhinovska.
Me Memorandumin vendoset një bashkëpunim afatgjatë, i cili parashikon organizimin e
ekspozitave, ngjarjeve shkencore-popullarizuese, ligjëratave publike, punëtorive,
programeve edukative dhe ekspozitave tematike, si dhe krijimin e partneriteteve dhe
bashkëpunimit me muze, universitete dhe institucione shkencore vendase dhe të huaja
për promovimin e trashëgimisë gjeologjike të maqedonisë.
Në ceremoninë e nënshkrimit ishte i pranishëm edhe Dean Shkartov, një nga
promovuesit dhe njohësit më të mëdhenj të rubinit maqedonas, anëtar dhe
bashkëpunëtor shumëvjeçar i Shoqatës „Otkritie“, koleksioni i pasur mineralogjik i të cilit
përbën një kontribut të rëndësishëm në afirmimin e trashëgimisë gjeologjike të
Maqedonisë, si brenda vendit ashtu edhe jashtë tij.
Si rezultat i këtij partneriteti, në ambientet e Ministrisë do të themelohet një Qendër për
Promovimin e Trashëgimisë Gjeologjike, e cila do të shndërrohet në një hapësirë të
përhershme ekspozuese dhe edukative për prezantimin e mineraleve, kristaleve,
fosileve dhe eksponateve të tjera gjeologjike. Qendra do të jetë një vend ku institucionet,
komuniteti shkencor dhe ekspertët do të punojnë së bashku për mbrojtjen, vlerësimin
dhe promovimin ndërkombëtar të trashëgimisë gjeologjike të maqedonisë, zhvillimin e
gjeoturizmit dhe rritjen e ndërgjegjësimit për pasuritë natyrore që zotëron Maqedonia.
Me këtë iniciativë, Ministria e energjisë, minierave dhe burimeve minerale konfirmon
edhe një herë se burimet natyrore nuk janë vetëm një potencial ekonomik, por edhe një
pasuri kombëtare që duhet të mbrohet, të vlerësohet në mënyrë shkencore dhe të
prezantohet me dinjitet para brezave të ardhshëm dhe para botës.




