Shkruan: Merxhan Jakupi
Sipas mediave dhe gazetave perëndimore, në shtetet e Ballkanit Perëndimor, përveç korrupsionit si fenomen i pranishëm tek elitat politike, janë të pranishme edhe aferat seksuale dhe skandalet morale. Këto afera dhe skandale, sipas disa burimeve, mund të cenojnë sigurinë kombëtare dhe të ndikojnë në degradimin e shoqërive në shtetet e rajonit.
Në shtetet e Ballkanit Perëndimor, sipas organizatave monitoruese, afera seksuale dhe skandale morale janë raportuar më së shumti në Serbi, Maqedoninë e Veriut, Bosnjë dhe Hercegovinë, Mal të Zi, Shqipëri dhe Kosovë.
Një ndër skandalet më të mëdha të përmendura është rasti i Dragan Markoviçit (Palma).
Në Maqedoni, përveç korrupsionit dhe montimeve gjyqësore, janë zbuluar materiale, biseda imorale, linçime dhe gafe vulgare.
Në Mal të Zi, u zbulua këtë vit afera e zyrtarëve të sigurisë, e cila tronditi shtetin. Afera të tilla seksuale dhe skandale morale ka pasur edhe në Shqipëri dhe Kosovë.
Aferat seksuale në shtetet autoritare, por edhe në shtetet e Ballkanit Perëndimor, shpesh mbeten tabu dhe shoqërohen me margjinalizim dhe pasivitet. Liderët dhe elitat politike, edhe pas zbulimit të këtyre aferave dhe skandaleve seksuale, vazhdojnë të mbeten në pushtet.
Aktorët e aferave japin dorëheqje ose suspendohen, duke kaluar më pas në poste të tjera të ndryshme. Zyrtarët e përfshirë në këto afera seksuale shpesh ndiqen nga shërbimet sekrete të shtetit. Përmes përgjimeve, ndjekjeve dhe dosjeve, këta zyrtarë, të përfshirë në afera dhe skandale, detyrohen pastaj të jenë vasalë, puthadorë dhe besnikë ndaj pushtetarëve.
Po ashtu, pushtetarët dhe elitat politike shpesh përgatisin kurthe dhe montime ndaj ministrave, zyrtarëve ose opozitarëve, duke i shantazhuar dhe akuzuar për afera seksuale.
Sipas analistëve dhe studiuesve për Ballkanin Perëndimor, elita politike, së bashku me liderët e saj, e kanë kapur shtetin dhe institucionet përmes tri hallkave të lidhura mes tyre: njëra hallkë mbeten elitat politike, e dyta, oligarkët dhe e treta, klanet mafioze.
Aferat seksuale dhe skandalet morale, si dhe abuzimet në shtetet e Ballkanit Perëndimor, janë gjithashtu një çështje shqetësuese. BE-ja është e shqetësuar dhe i konsideron këto dukuri si sfida dhe probleme për integrimin dhe anëtarësimin në BE.
Korrupsioni dhe aferat seksuale në rajon, sipas analistëve perëndimorë, dëshmojnë për humbjen e besimit në donacionet, akreditimet dhe ndihmat që ndan BE-ja për këto shtete.
Në shtetet demokratike perëndimore, më rrallë ndodhin afera seksuale dhe skandale morale. Në raste të tilla, këto skandale zakonisht mbyllen me pasoja rigoroze dhe ndëshkime të rrepta.
Pas zbulimit të aferave dhe skandaleve, fillojnë protestat dhe revoltat nga opozita, elektorati dhe votuesit.
Tek liderët dhe elitat politike të shteteve të Ballkanit Perëndimor, fatkeqësisht, vazhdon hipokrizia e thellë dhe mungesa e besueshmërisë së qytetarëve ndaj liderëve dhe oponentëve politikë.
Liderët dhe elitat politike kontrollojnë dhe mbajnë peng tri institucionet dhe aparatet kryesore të shtetit: legjislativin, gjyqësorin dhe ekzekutivin. Pikërisht, kjo kapje e shtetit, e institucioneve në disa nivele, ka bërë që vendet e Ballkanit Perëndimor të lëvizin tepër ngadalshëm në rrugën e integrimeve, ndërkohë që zhvillimi i brendshëm dhe gjithë sistemi i vlerave degradojnë nga kjo logjikë tipike ballkanase.