Një arritje e veçantë akademike vjen nga fusha e optometrisë dhe edukimit special. Dr. Ermira Tateshi është bërë optometristja e parë në Maqedoninë e Veriut që ka mbrojtur doktoraturë në drejtimin e edukimit special dhe rehabilitimit, në fushën e dëmtimeve të shikimit.

Në amfiteatrin e Fakultetit Filozofik të Universitetit “Shën Qirili dhe Metodi” në Shkup, Tateshi mbrojti me sukses disertacionin e doktoraturës me temë “Gabimet refraktive te fëmijët e moshës shkollore”, duke fituar titullin Doktor i Shkencave në edukimin special dhe rehabilitimin, në fushën e dëmtimeve të shikimit.

Mbrojtja u zhvillua para komisionit të përbërë nga prof. dr. Zora Jaçeva, kryetare, prof. dr. Daniella Dimitrova-Radojiçiq, mentore, si dhe prof. dr. Natasha Angelloska-Galevska, prof. dr. Emilija Gjosheva-Dashtevska dhe prof. dr. Lulzim Mehmedi.

Puna shkencore e Tateshit bazohet në një hulumtim të gjerë, i cili përfshiu të dhëna për 16.400 fëmijë të diagnostikuar me gabime refraktive, si dhe 115 mësimdhënës. Studimi analizon përhapjen e problemeve të shikimit te fëmijët e moshës shkollore dhe, njëkohësisht, rolin e mësimdhënësve në identifikimin e hershëm të vështirësive në shikim.

Si optometriste, Tateshi në punimin e saj ka ndërthurur dy fusha me rëndësi të drejtpërdrejtë për zhvillimin e fëmijëve – shëndetin e syve dhe arsimin.

Hulumtimi vë në pah se zbulimi në kohë i problemeve refraktive është i rëndësishëm jo vetëm për shëndetin e fëmijës, por edhe për pjesëmarrjen dhe përparimin e tij në procesin mësimor.

Në këtë drejtim, studimi thekson edhe rëndësinë e bashkëpunimit mes familjes, mësimdhënësve dhe profesionistëve të shëndetit të syve, me qëllim që problemet e shikimit të identifikohen dhe të trajtohen sa më herët.

Me mbrojtjen e kësaj doktorature, Dr. Ermira Tateshi shënon një moment të veçantë në fushën e optometrisë në RMV, duke u bërë optometristja e parë që arrin këtë nivel akademik në edukimin special dhe rehabilitimin, në fushën e dëmtimeve të shikimit.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume