Zbardhen debatet në gjyq të “shokëve” të Ergys Agasit, Sulejmani: Pse Vlora Hysenin s’e mbani në burg, e mua po?
Zbardhen diskutimet nga seanca me dyer të mbyllura për masat e sigurisë Fatjon Kalluçi, shef i laboratorit të Policisë Shkencore, dhe Embro Sulejmanit, kryekamarierit të një lokali pranë vilave qeveritare në Durrës që frekuentohej rregullisht nga i shumëkërkuari i drejtësisë Ergys Agasi.
Kryekamarieri Sulejmani ka pranuar se ka njohje me Ergys Agasin, por sipas tij nuk beson të ketë kryer vepër penale.
“Ergys Agasin e njoh prej shumë vitesh, ka qenë klient i rregullt i lokalit ku punoj si kryekamarier. Jemi nga e njëjta zonë dhe kjo njohje ka qenë vite më parë se u shpall në kërkim.
Kam pasur kontakte që lidhen me punën. Vinte rezervonte tavolinën dhe kërkonte që ti shërbeja unë, siç ndodh kudo, nuk mendoj se kam kryer ndonjë krim”, mësohet të ketë deklaruar Sulejmani.
Mbrojtja e Sulejmanit ka ngritur pretendimin se masa shtrënguese e arrestit në shtëpi është e papërshtatshme. Mes argumenteve, ajo ka theksuar se një kamarier mund t’u shërbejë shumë personave që kanë probleme me drejtësinë, por kjo nuk përbën shkak për akuzë të përkrahjes së autorit të krimit.
Një tjetër argument që e deklaroi mbrojtja, ishte fakti se “është e pa arsyeshme, që drejtoresha e SHISH, që akuzohet për dy vepra penale, njëra prej tyre e njëjtë me Sulejmanin, qëndron në masë më të butë, ndërsa kamarieri i një lokali që ka shërbyer supë dhe ushqim, në burg”, raporton OraNews.
Ndërsa Fatjon Kalluçi nuk ka dhënë shpjegime por i ka dhënë tagra avokatit që kërkoi masë më të butë sigurie. Mësohet se gjatë seancës për vlerësimin e masës së sigurisë të enjten për krye-agjenten, prokurorët i kanë përmendur sulmin që ajo bëri ndaj gazetarëve në hyrje të gjykatës, ku i kujtuan se deklarata të tilla përbëjnë ngjashëm veprime të cilat është e dyshuar zyrtarisht.