Sekretari i përgjithshëm i Bashkimit Demokratik për Integrim, Arbër Ademi, i është përgjigjur ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, pas aludimeve të këtij të fundit ndaj kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, lidhur me një pritë të pretenduar në Shqipëri në vitin 1998 dhe dëshminë e tij para hetuesve të Hagës në vitin 2020.

Në reagimin e publikuar në rrjetet sociale, Ademi e akuzoi Shasivarin se sulmon figurat, simbolet dhe kauzat shqiptare, ndërsa e ndërlidhi qëndrimin e tij me profesoreshën Tanja Karakamisheva.

“Jeton Karakamishevën, a e keni dëgjuar ndonjëherë të thotë: ‘UÇK-ja bëri luftë të drejtë’, ‘drejtuesit e UÇK-së janë të pafajshëm’, ‘UÇK-ja është e pastër si loti’?”, shkroi Ademi.
Sipas tij, një deklaratë e tillë nuk është dëgjuar dhe as nuk do të dëgjohet nga ministri i Drejtësisë.

“Jo. As nuk do ta dëgjoni. Nuk guxon!”, shtoi Ademi. Sekretari i përgjithshëm i BDI-së pretendon se roli politik i Shasivarit është të merret me çështjet që lidhen me shqiptarët dhe me figurat e tyre politike e kombëtare.

“Sepse roli i tij është të merret me gjithçka që është shqiptare, kombëtare dhe e pastër: me Ali Ahmetin, me Edi Ramën, me UÇK-në, me çdo simbol e kauzë shqiptare”, thuhet në reagim.
Ademi më tej e akuzoi Shasivarin se përdor “gjuhën e tutores së tij, Tanja Karakamishevës” dhe se merret me shqiptarët, në vend që, siç tha, të merret me ata që i dëmtojnë ata.

“Ky është roli i tij. Të lomotisë kundër shqiptarëve dhe në shërbim të atyre që shqiptarët i kanë pasur gjithmonë përballë”, përfundoi Ademi.

Reagimi i tij pasoi një status të ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, të titulluar “26 shtatori 1998: Prita. 2-3 shtatori 2020: Dëshmia”, në të cilin, pa e përmendur me emër, ai aludoi te Ali Ahmeti.

Shasivari shkroi se më 26 shtator 1998, “sipas të dhënave publike”, kishte ndodhur një pritë ndaj personit që ai e identifikoi si “Komandant Soravia”, me pasoja potencialisht fatale. Ai e lidhi këtë ngjarje me dëshminë që Ahmeti e kishte dhënë 22 vjet më vonë, më 2 dhe 3 shtator 2020, për rreth 15 orë, para Prokurorisë së Specializuar në Prishtinë.

“Çfarë dëshmoi në Prokurorinë Speciale?”, pyeti Shasivari, duke theksuar se bëhet fjalë për pyetje publike dhe jo për paragjykim apo akuzë. “Dy datat kujtohen. Dëshmia është dhënë. Por pyetjet mbeten. Opinioni meriton përgjigje”, përfundoi ministri i Drejtësisë.