Nga foshnja në barkun e nënës Luljetë, të cilën ajo do ta quante Malësor ose Malësore, te Mihanja e cila një ditë më parë kishte mbushur 28 vjet dhe i biri i saj Valmiri, i cili kishte pesë ditë që i kishte mbushur dy vjet, te Lumnija dhe foshnja e saj në javën e gjashtë të jetës Dituria, e cila i mbijetoi masakrës por vdiq 54 ditë më vonë, tek Antigona dhe Mihanja 14 dhe 16 vjeçe, e deri te më i vjetri, Fazli Deliu, 94 vjeç. Kështu ka shkruar kryeministri, Albin Kurti

Përmasa dhe llojet e krimeve çnjerëzore që aparati shtetëror i Serbisë kreu ndaj 23 anëtarëve të familjes Deliu nga Abria e Epërme e Drenasit, më 26 shtator 1998, janë dëshmia e pamohueshme e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit të Serbisë ndaj shqiptarëve në luftën e fundit në Kosovë.

Prerja e barkut të një shtatëzëne, vrasja e një nëne tjetër bashkë me fëmijën dy vjeç dhe e tjetrës që mbante në duar foshnjën 40 ditëshe, dhunimi e masakrimi i vajzave 14 e 16 vjeçe, sikurse gjymtimi që iu bë kufomave pasi fillimisht ishin qëlluar me plumb në kokë, janë dëshmia e mizorisë dhe barbarisë, si dhe rezultati i urrejtjes së mbjellë ndaj shqiptarëve për dekada nga akademia serbe, ideatores që fshihet prapa perdes teksa sheh frytet e politikës së saj fashiste, shoviniste e ekspansioniste.

Po atë ditë, më 26 shtator 1998, aparati i armatosur shtetëror i Serbisë kreu masakër në fshatin Gollubovc të Malishevës, duke lidhur e torturuar dhe më pas ekzekutuar civilë shqiptarë.

Drejtësia është detyrim dhe më e pakta që duhet bërë për viktimat dhe familjet, andaj trysnia ndërkombëtare ndaj fqinjit verior duhet të jetë më e madhe se kurrë më parë.

Lavdi të gjithë të rënëve për lirinë Kosovës

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume