Projekti „Ohri In Situ – arkitekturë, vazhdimësi dhe urtësia e vendit“, i Shoqatës së qytetarëve për mbështetjen dhe promovimin e kulturës „Kontineo“ nga Shkupi, do ta përfaqësojë Maqedoninë në Ekspozitën e 20-të Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia në vitin 2027, në organizim të „La Biennale di Venezia“.

Projekti është vepër e autorëve: Vlladimir Deskov, dr. Ana Ivanovska Deskova, dr. Jovan Ivanovski, dr. Harald Trapp dhe Simon Hartmann, me bashkëpunëtorët dr. Tea Damjanovska, dr. Mihajllo Stojanovski dhe mr. Zoran Petrovski. Kurator i projektit është dr. Jovan Ivanovski, ndërsa komisar është Avni Qaili, drejtor i IN Muzeu i Artit Bashkëkohor – Shkup.

Në kuadër të Konkursit për pjesëmarrjen e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Ekspozitën e 20-të Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia në vitin 2027, brenda afatit të paraparë është dorëzuar një projekt – „Ohri In Situ – arkitekturë, vazhdimësi dhe urtësia e vendit“. Komisioni për shqyrtimin e projekteve, në përbërje Ognen Marina, Mishko Ralev dhe Rilind Selmani, pas shqyrtimit të aplikimit dhe dokumentacionit të dorëzuar, konstatoi se projekti i përmbush kushtet dhe kriteret e përcaktuara me Konkursin.

Sipas arsyetimit të Komisionit, projekti paraqet një propozim konceptualisht të qartë dhe teorikisht relevant për përfaqësim kombëtar, me fokus në Ohrin dhe vlerat e tij të jashtëzakonshme natyrore, kulturore dhe arkitekturore. Projekti e shqyrton Ohrin si një hapësirë ku ndër shekuj ndërthuren natyra, topografia,

arkitektura, materialet, praktikat ndërtimore dhe jeta e përditshme. Theks i veçantë i është kushtuar modernizmit rajonal të gjysmës së dytë të shekullit XX dhe mënyrës se si arkitektët maqedonas e kanë riinterpretuar përvojën hapësinore të trashëguar të Ohrit. Siç thuhet në raportin e Komisionit, projekti e vendos bashkëjetesën arkitekturore si një mekanizëm historik dhe hapësinor përmes të cilit arkitektura e Ohrit transformohet vazhdimisht, duke ruajtur njëkohësisht vazhdimësinë me dijen dhe përvojën e ngulitur në vend.

Komisioni në veçanti e thekson lidhjen e projektit me temën e përgjithshme të kuratorëve të Ekspozitës së 20-të Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia, Wang Shu dhe Lu Wenyu – „Bëj arkitekturë – për mundësinë e bashkëjetesës përballë realitetit“ („Do Architecture – For the Possibility of Coexistence Facing a Real Reality“).

Me përzgjedhjen e projektit „Ohri In Situ – arkitekturë, vazhdimësi dhe urtësia e vendit“, Maqedonia e Veriut në Ekspozitën e 20-të Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia në vitin 2027 do ta prezantojë Ohrin si një hapësirë arkitekturore dhe kulturore, ku trashëgimia, arkitektura bashkëkohore dhe dija lokale ndërlidhen në një rrëfim arkitekturor bashkëkohor dhe relevant në nivel ndërkombëtar.