Në Komunën e Çairit sot u mbajt mbledhja e parë e Kuvendit Rinor, me çka u përmbyll procesi i formimit të këtij trupi dhe u hodh një hap i rëndësishëm drejt fuqizimit të përfaqësimit të të rinjve në nivel lokal.
Gjatë mbledhjes, të rinjtë pjesëmarrës diskutuan për rolin, mënyrën e funksionimit dhe përgjegjësitë e Kuvendit Rinor, si dhe për hapat e ardhshëm në kuadër të organizimit dhe pjesëmarrjes së të rinjve në proceset lokale.
Kuvendi Rinor do të shërbejë si një mekanizëm përmes të cilit të rinjtë do të mund të artikulojnë nevojat, idetë dhe iniciativat e tyre, si dhe të përfshihen në mënyrë aktive në çështjet që lidhen me politikat rinore dhe zhvillimin lokal.
Pas themelimit të Kuvendit Rinor, hapi i radhës është formimi i Këshillit Rinor Lokal të Komunës së Çairit, i cili do të përfaqësojë interesat dhe nevojat e të rinjve dhe do të kontribuojë në forcimin e rolit të tyre në proceset vendimmarrëse në nivel lokal.







