Në ceremoninë solemne të fillimit të vitit akademik në Universitetin "Shën Kirili dhe
Metodi" në Shkup, ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, u uroi mirëseardhjen
studentëve të rinj, duke theksuar se ata përfaqësojnë potencialin më të madh të Maqedonisë.
"Këta të rinj kanë zgjedhur arsimin e lartë si rrugë për të realizuar ambiciet e tyre dhe për t'u
përgatitur për sfidat e ardhshme profesionale e jetësore. Ata presin të përfitojnë njohuri dhe
aftësi që do t'u mundësojnë të përballen me sukses me një botë që karakterizohet nga
ndryshime të shpejta teknologjike, ekonomike dhe shoqërore. Universiteti 'Shën Kirili dhe
Metodi' është vendi i duhur për të mësuar, për të pashtruar pyetje dhe për të kryer kërkime.
Jini kureshtarë dhe të guximshëm në kërkimin e njohurive të reja," tha ministrja Janevska në
fjalimin e saj drejtuar studentëve, profesorëve dhe komunitetit akademik.
Përveç ligjëratave , kollukfiumeve dhe provimeve, studentët kanë mundësinë të përfshihen në
kërkime, projekte shkencore, shkëmbime akademike, shkolla verore dhe programe të
ndryshme trajnimi; Janevska i inkurajoi ata t'i shfrytëzonin këto mundësi, pasi ato do t'u
hapnin horizonte të reja.
„„Ju jeni profesionistët, novatorët dhe liderët e ardhshëm që do ta ndërtojnë të ardhmen e
shtetit. Pikërisht për këtë, arsimi i lartë është një nga prioritetet tona më të rëndësishme. Në
Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës po punojmë me përkushtim për krijimin e kushteve më të
mira për studim, modernizimin e programeve studimore, mbështetje më të madhe për
shkencën dhe kërkimin shkencor, si dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet arsimit të lartë dhe
nevojave të tregut të punës“, theksoi ministrja Janevska.
Në këtë drejtim, janë kryer vlerësime të një pjese të programeve ekzistuese studimore, ndërsa
janë akredituar edhe disa programe të reja, me qëllim harmonizimin e mëtejshëm të arsimit të
lartë me standardet evropiane dhe nevojat e shoqërisë.

Me porosinë se Ministria do të vazhdojë bashkëpunimin konstruktiv me organizatat
studentore, Janevska i ftoi studentët të marrin pjesë në mënyrë aktive në jetën akademike, të
ndajnë propozimet dhe iniciativat e tyre dhe të kontribuojnë në krijimin e kushteve më të
mira për studim, duke theksuar se Ministria do të vazhdojë të jetë partnere e tyre në
përmirësimin e jetës studentore dhe të procesit arsimor.

Në pjesën e standardit studentor, vlerësoi se po realizohen investime të rëndësishme në
konviktet studentore. Dy konvikte studentore në Shkup janë rikonstruktuar tërësisht dhe me
standarde të larta të eficiencës energjetike – „Stiv Naumov“ tashmë janë vendosur studentët,
ndërsa së shpejti do të hapet edhe Konvikti Studentor „Kuzman Josifovski Pitu“. Në
periudhën e ardhshme do të vazhdojë modernizimi edhe i konvikteve të tjera studentore në
vend.
Janevska njoftoi edhe për konkursin e ri për bursa studentore, i cili, përveç kategorive
ekzistuese, do të përfshijë edhe kategori të reja përfituesish, ndër të cilët edhe studentët me
sëmundje të rralla dhe nevoja të veçanta arsimore, me qëllim që të mundësohet qasje më e
madhe në arsimin e lartë për të gjithë të rinjtë.
Duke u uruar vit akademik të suksesshëm, ministrja theksoi rolin e rëndësishëm të
profesorëve në formimin e individëve të arsimuar, të përgjegjshëm dhe etikë, të cilët do të
kontribuojnë në zhvillimin e shoqërisë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume