Tronditëse në Gjermani: Foshnja e porsalindur gjendet e vdekur në një qese pranë rrugës, policia kërkon nënën
Një foshnjë e porsalindur, vajzë, është gjetur e vdekur në një qese pazari pranë një rruge në qytetin gjerman Beckum, afër Münsterit. Policia po heton vdekjen e foshnjës dhe është vënë në kërkim të nënës së saj, raportojnë mediat gjermane.
Sipas të dhënave të para të hetuesve, foshnja ishte lënë të shtunën, në intervalin nga ora 11:00 deri në 13:30, në rrugën Alter Hammweg. Ajo u gjet në një qese nga dyqani i mobilieve „Poco“, e mbështjellë me një batanije kuadrate kuqezi dhe të bardhë, si dhe me një peshqir të çelët saune.
Autopsia deri tani nuk ka dhënë një përgjigje të qartë për shkakun e vdekjes. Hetimi duhet të përcaktojë nëse vajza është vrarë apo ka vdekur pas lindjes.
Policia u bën thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo informacion që mund të ndihmojë në zbardhjen e rastit. Në veçanti, po verifikohen personat që janë parë në afërsi të vendit në atë periudhë, si dhe ata që mund të njohin ndonjë nga sendet me të cilat ishte mbështjellë foshnja.
Prokuroria gjermane, bazuar në raste të ngjashme, supozon se nëna mund ta ketë fshehur shtatzëninë gjatë muajve të fundit. Për këtë arsye, policia kërkon informacione edhe për ndonjë grua ose vajzë, pamja apo sjellja e së cilës ka ndryshuar dukshëm kohët e fundit.