Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka reaguar pas mbështetjes së shprehur në Sllupçan të Likovës për ish-pjesëtarët e UÇK-së që po përballen me proceset gjyqësore në Hagë.

Në një postim, Ahmeti e cilësoi mbështetjen e qytetarëve si të fuqishme dhe të parezervë, duke theksuar se, sipas tij, UÇK-ja përfaqëson një vlerë të rëndësishme të kombit shqiptar.

“UÇK-ja është një vlerë sublime e kombit tonë. Ajo doli nga populli dhe luftoi për popullin”, shkruan Ahmeti, njofton TS.

Ai shton se UÇK-ja, sipas tij, mbrojti familjet shqiptare dhe u ngrit kundër politikave të regjimit të Slobodan Millosheviqit.

Duke iu referuar proceseve në Hagë, Ahmeti deklaroi se qëndrimi i tij dhe i mbështetësve të tij mbetet në krah të ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

“Sot, si dje, qëndrojmë pranë çlirimtarëve. Drejtësia duhet të mbështetet në fakte dhe prova, jo në fabrikime politike”, shkroi Ahmeti.

Marshi në Sllupçan ishte paralajmëruar si tubim qytetar në mbështetje të ish-pjesëtarëve të UÇK-së dhe për drejtësi e dinjitet, me moton “Jo në emrin tim!”.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume