Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, sot vizitoi Spitalin e Përgjithshëm – Kërçovë, ku së bashku me drejtoreshën, dr. Maja Cvetanoska Trajkovska, dhe kryetarin e komunës, Aleksandar Jovanovski, mbajti një konferencë për shtyp lidhur me spitalin e ri dhe destinimin e objektit ekzistues.

Ky aktivitet është pjesë e vizitës së punës në institucionet shëndetësore të rajonit jugperëndimor, e cila përfshiu edhe Spitalin Special për Nefrologji dhe Spitalin e Përgjithshëm në Strugë.

„Spitali i ri është synimi ynë dhe po punojmë në mënyrë aktive për realizimin e këtij projekti. Por, qytetarët e Kërçovës dhe të rrethinës nuk mund të presin derisa ai të ndërtohet. Prandaj, nuk presim — spitalin po e fuqizojmë që tani, me pajisje të reja, shërbime të reja dhe staf të ri“, deklaroi ministri Klekovski.

Ministri theksoi risitë më të rëndësishme të vitit 2025, të cilat për herë të parë po zbatohen në spital:
aparat imunologjik për analizën e markerëve tumoralë, hormoneve, D-dimerëve, markerëve kardiakë (troponinës) dhe paneleve alergologjike;

analizator i gazrave për vlerësim të shpejtë të pacientëve urgjentë dhe në gjendje të rëndë;
aparat i ri anesteziologjik me kapnograf dhe llambë e re LED për sallën e operacionit, ndërsa është në proces prokurimi një videolaringoskop dhe autoklav;
gastroskop i ri për diagnostikim më të mirë;
4 mjekë specialistë në specializim dhe 4 mjekë të mjekësisë së përgjithshme të punësuar në mënyrë të përhershme, ndërsa për 5 specialistë të tjerë në specializim procedura është në fazën përfundimtare.

„Pajisjet pa staf nuk kanë asnjë kuptim, ndërsa stafi pa pajisje nuk mund të punojë.Në Kërçovë po i ndërtojmë të dyja njëkohësisht — që pacienti të marrë diagnozën dhe trajtimin këtu, në qytetin e tij, pa pasur nevojë të udhëtojë drejt Shkupit“, theksoi Klekovski.

Drejtoresha e spitalit, Cvetanoska Trajkovska, theksoi rëndësinë e pajisjeve të reja. Në repartin e radiologjisë, spitali është pajisur me aparat të ri digjital të rëntgenit, mamograf të ri digjital dhe aparat ultrazëri 3D/4D me elastografi, të dhuruara nga Komuna e Kërçovës.

Në kabinetin e RTG-së, gjatë vitit 2025 janë realizuar rreth 19.500 ekzaminime: ekzaminime me rëntgen, tomografi e kompjuterizuar, mamografi dhe ekzaminime ekografike të gjirit.

„Aparati imunologjik „Siemens ImmuLite 2000 System“ na mundëson kryerjen e analizave të cilat më parë nuk mund t’i realizonim në institucionin tonë, ndërsa laboratori biokimik në vit u shërben 28.000–30.000 pacientëve. Analizatori i gazrave EDAN është i një rëndësie të veçantë për vlerësimin e shpejtë të gjendjes metabolike dhe respiratore, veçanërisht te pacientët urgjentë dhe në gjendje të rëndë. Aparati anesteziologjik „Dräger Fabius plus XL“ me kapnograf mundëson monitorim më të detajuar të pacientit gjatë ndërhyrjes, ndërsa në bllokun operativ këtë vit janë kryer mbi 200 ndërhyrje kirurgjikale. Gastroskopi i ri përmirëson vlerësimin diagnostik dhe me të janë kryer rreth 100 ekzaminime“, theksoi drejtoresha. Kryetari i Komunës së Kërçovës, Aleksandar Jovanovski, theksoi se qytetarët e Kërçovës meritojnë një spital të ri dhe se Komuna do të vazhdojë të ofrojë mbështetje për realizimin e tij.
-Tashmë kemi dëshmuar se e mbështesim spitalin, me donacionin e fundit të aparatit të ultrazërit 3D/4D me elastografi, i cili sot u shërben pacientëve në Kërçovë. Gjithçka që është në mundësinë tonë do ta bëjmë që qytetarët të marrin kujdes shëndetësor cilësor në qytetin e tyre“, theksoi kryetari Jovanovski, duke vënë në pah bashkëpunimin e shkëlqyer me Ministrinë e Shëndetësisë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume