Rreth 1.000 raste të reja me kancer të gjirit regjistrohen çdo vit në vend, ndërsa aktualisht rreth 7.000 paciente janë duke u trajtuar ose janë trajtuar për këtë sëmundje.
Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, në “Mëngjesin rozë” të organizuar nga HEMA-ONKO, theksoi se ngritja e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit mbetet një nga prioritetet. Ai nënvizoi se për një trajtim të suksesshëm është e domosdoshme që sëmundja të zbulohet në kohë. Sipas Klekovskit, një nga problemet kryesore aktualisht është programi i skriningut për kancerin e gjirit, i cili, sipas raportit të Entit Shtetëror të Revizionit, është vlerësuar si i pasuksesshëm.
“Duhet ta rishqyrtojmë tërësisht konceptin dhe shpresoj që shumë shpejt, së bashku me HEMA-ONKO, të promovojmë një koncept të ri për programin e skriningut”.
Duke folur për trajtimin e pacienteve, ministri informoi se dy ilaçe për kancerin e gjirit janë përfshirë në listën pozitive. Kjo u mundëson pacienteve që marrin terapi kronike t’i marrin ilaçet në barnatore, në vend që të paraqiten në Klinikën e Onkologjisë. Sipas tij, furnizimi me ilaçe aktualisht është stabil, por Ministria e Shëndetësisë po analizon masa shtesë për tejkalimin e ndërprerjeve në furnizimin me terapi.
Vetëkontrollet e rregullta dhe zbulimi i hershëm mund ta rrisin ndjeshëm mundësinë për trajtim të suksesshëm të kancerit të gjirit. Te gratë tek të cilat sëmundja zbulohet në fazat e hershme, shkalla e mbijetesës tejkalon 99 për qind.