Në margjinat e Samitit të Dytë Ministror të katër vendeve – Maqedonisë, Bullgarisë, Greqisë dhe Serbisë – ministrja e energjisë, minierave dhe burimeve minerale, Sanja Bozhinovska, zhvilloi një takim dypalësh me ministren bullgare të Energjetikës, Iva Petrova.
Takimi u mbajt në sallën ,,Dhoma Maqedonase” në Pallatin e Serbisë në Beograd. Në të morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së energjisë, minierave dhe burimeve minerale, MEPSO-s dhe NOMAGAS-it, si dhe përfaqësues të lartë dhe drejtues të kompanive dhe subjekteve të rëndësishme energjetike nga Bullgaria..
Në bisedime u vu theksi te thellimi i marrëdhënieve dypalëshe në fushën e energjetikës, me fokus te projektet konkrete, shkëmbimi i përvojave dhe mundësitë për veprimtari të përbashkëta.
Një nga temat ishte sistemet e baterive për ruajtjen e energjisë elektrike. Pala maqedonase shprehu interes për përvojën e Bullgarisë në zgjidhjet teknike, rregullimin ligjor, financimin dhe realizimin e projekteve të tilla. Pala bullgare shprehu gatishmërinë për t’i ndarë përvojat, ekspertizën dhe njohuritë teknike me institucionet dhe kompanitë maqedonase.
U diskutua edhe për vazhdimin e bashkëpunimit të nisur, me qëllim ndërlidhjen më të mirë të tregjeve të energjisë elektrike dhe përmirësimin e shkëmbimit ndërkufitar të energjisë elektrike.
Në kuadër të takimit u trajtua edhe varfëria energjetike, ndërsa palët shkëmbyen përvoja mbi masat dhe politikat që mund të ndihmojnë në sigurimin e energjisë më të përballueshme dhe të besueshme për qytetarët.
Ministrat shkëmbyen mendime për planet dhe projektet e ardhshme energjetike të të dyja vendeve dhe lidhjen e tyre me përparësitë rajonale. U shqyrtua edhe mundësia e paraqitjes së përbashkët pranë institucioneve financiare ndërkombëtare dhe donatorëve, për të siguruar financim për projekte energjetike strategjike dhe me rëndësi rajonale.
Në bisedime u trajtuan edhe teknologjitë e reja në fushën e energjetikës, si dhe mundësitë për lidhje më të ngushta mes kompanive dhe institucioneve të të dyja vendeve. Në këtë kontekst, u theksua rëndësia e bashkëpunimit mes MEPSO-s, NOMAGAS-it dhe MEMO-s dhe partnerëve të tyre përkatës në Bullgari, me synim shkëmbimin e njohurive dhe përvojave, si dhe zhvillimin e veprimtarive konkrete.
U diskutua edhe për Iniciativën Lindje–Perëndim, në kuadër të së cilës parashihet ndërtimi i një interkoneksioni shtesë mes sistemeve të transmetimit të energjisë elektrike të Maqedonisë dhe Bullgarisë, si dhe për përmirësimet dhe avancimin e ardhshëm të interkoneksionit ekzistues mes Maqedonisë dhe Greqisë.
Realizimi i këtyre projekteve infrastrukturore, së bashku me projektet e tjera energjetike që janë në zhvillim ose të planifikuara, do të mundësojë ndërlidhje më të mirë rajonale dhe rritje të kapaciteteve transmetuese, duke krijuar kështu më shumë mundësi për shkëmbimin e energjisë elektrike.
Në takim u theksua se realizimi i Iniciativës Lindje–Perëndim dhe i projekteve të tjera strategjike energjetike do të kontribuojë në forcimin e rolit të Maqedonisë në sistemin energjetik rajonal, përmes ndërlidhjes më të mirë të tregjeve dhe rritjes së sigurisë së furnizimit.
Të dyja palët theksuan potencialin për integrim të mëtejshëm rajonal, shkëmbim të ekspertizës dhe investime të përbashkëta, me synim krijimin e një sistemi energjetik më të sigurt dhe më të qëndrueshëm në Maqedoni, Bullgari dhe në rajonin më të gjerë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume