Ministrja e energjisë, minierave dhe burimeve minerale, Sanja Bozhinovska, ndodhet në
Vjenë që nga sot, më 7 tetor, ku, me ftesë të veçantë të Akademisë Diplomatike të
Vjenës, po merr pjesë në programin “Gratë Udhëheqëse – Evropa Juglindore dhe Deti i
Zi/Kaukazi i Jugut 2026 “.
Përmes vizitës në Vjenë, Ministria e energjisë, minierave dhe burimeve minerale po
prezanton prioritetet energjetike të vendit para institucioneve përkatëse evropiane,
përfaqësuesve të sektorit publik, diplomatëve dhe vendimmarrësve të ardhshëm, me
synim hapjen e mundësive të reja për bashkëpunim, shkëmbimin e përvojave dhe
forcimin e partneriteteve në fushën e energjetikës.
Programi “Gratë Udhëheqëse 2026”, i organizuar nga Akademia Diplomatike e
Vjenës, i kushtohet forcimit të lidershipit të grave dhe sfidave bashkëkohore në sektorin
publik. Pjesëmarrja e ministres Bozhinovska mundëson shkëmbimin e përvojave dhe
trajtimin e çështjeve me rëndësi për të ardhmen e rajonit dhe të Evropës, përfshirë
lidershipin, menaxhimin e krizave, barazinë gjinore dhe diplomacinë digjitale.
Bashkëpunimi energjetik mes Maqedonisë dhe Austrisë është një nga shtyllat
kryesore të vizitës. Ministrja do të zhvillojë një takim pune me Severin Gruberin,
sekretar të përgjithshëm të Ministrisë Federale të Ekonomisë, Energjisë dhe Turizmit të
Austrisë. Në fokus do të jenë bashkëpunimi dypalësh dhe ai ekonomik, tranzicioni
energjetik, siguria energjetike, si dhe mundësitë për vendosjen dhe thellimin e
bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.
Një pjesë e veçantë e agjendës u kushtohet të rinjve dhe diplomatëve të
ardhshëm. Ministrja Bozhinovska do të mbajë një fjalim dhe një ligjëratë para
studentëve të Akademisë Diplomatike të Vjenës, kushtuar tranzicionit energjetik dhe
zhvillimeve aktuale në sektorin energjetik në Maqedoni.
Para studentëve do të prezantohen reformat dhe proceset që po e transformojnë
sistemin energjetik maqedonas: zhvillimi i burimeve të ripërtëritshme të energjisë,
modernizimi i infrastrukturës energjetike, largimi gradual nga qymyri dhe zbatimi i
tranzicionit të drejtë energjetik. Gjithashtu, do të prezantohen prioritetet që lidhen me
sigurinë energjetike, diversifikimin e furnizimit, ndërlidhjen rajonale dhe integrimin në
tregun evropian të energjisë.

Në kushtet e realitetit të ri energjetik dhe gjeopolitik në Evropë, ndërlidhja energjetike
rajonale ka rëndësi të veçantë. Në këtë kontekst, rol të rëndësishëm kanë korridoret e
reja energjetike, përfshirë Korridorin Vertikal të Gazit, të cilat kontribuojnë në rritjen e
sigurisë dhe diversifikimin e furnizimit.
Me agjendën aktive ndërkombëtare, Ministria vazhdon të ndërtojë partneritete në rajon
dhe në Evropë, të krijojë mundësi për investime dhe bashkëpunim të ri, si dhe t’i
pozicionojë interesat energjetike të Maqedonisë në proceset më të gjera evropiane.
Vizita në Vjenë synon krijimin e mundësive konkrete për bashkëpunim dhe shkëmbim
përvojash në fushën e energjetikës, me fokus te një e ardhme energjetike e sigurt,
moderne dhe e qëndrueshme.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume