Nga Sefer SELIMI
Kryeministri Mickoski thotë se mjaftojnë 61 deputetë për të formuar qeverinë dhe për të pasur legjitimitet. Teknikisht, po. Por legjitimiteti juridik për të formuar qeverinë nuk është domosdoshmërisht edhe legjitimitet politik për të përfaqësuar një komunitet të tërë. Nëse e pranojmë këtë logjikë, atëherë mund ta kthejmë kohën e Rahman Morinës, kur pushteti vendoste se kush duhej t’i përfaqësonte shqiptarët, pavarësisht vullnetit të tyre politik. Ajo histori ka një fund që nuk duhet harruar.
Këtë mendësi duhet ta refuzojnë, mbi të gjitha, vetë partitë politike shqiptare. Edhe ato që sot janë pjesë e qeverisë, edhe ato që nesër potencialisht mund të jenë pjesë e saj. Sepse kjo nuk është çështje e një partie, e një koalicioni apo e një mandati qeverisës. Është çështje e autonomisë së organizimit politik të shqiptarëve dhe e së drejtës së tyre për të vendosur vetë se kush i përfaqëson.
Kjo mendësi e zhvlerëson organizimin politik shqiptar. Partitë, që duhet të përfaqësojnë orientime programore, ideologjike dhe kërkesat e nevojat e qytetarëve shqiptarë, reduktohen në numra të thjeshtë parlamentarë. Numra dekorativë, politikisht të asimiluar, që shërbejnë për të plotësuar shumicën qeverisëse, por jo domosdoshmërisht për të përfaqësuar vullnetin politik të atyre që pretendojnë se përfaqësojnë.
Atëherë, për çfarë duhen zgjedhjet? Për çfarë hartohen programet politike, ndërtohen koalicionet parazgjedhore dhe jepen premtime para qytetarëve, nëse në fund përfaqësuesin politik të shqiptarëve mund ta zgjedhë dikush tjetër? Nëse vota e shqiptarëve nuk përcakton peshën e tyre politike, por shërben vetëm si rezervuar mandatesh për formimin e shumicës parlamentare, atëherë konkurrenca politike shqiptare humb kuptimin e saj.
Shqiptarët përbëjnë 29,5% të popullsisë së Maqedonisë së Veriut. Përpjekja e vazhdueshme për t’i njësuar politikisht me komunitetet e tjera, prej të cilave asnjëri veçmas nuk përbën mbi 5% të popullsisë, shpreh një mendësi që refuzon ta pranojë realitetin politik dhe demografik të vendit. Kjo nuk është çështje e mohimit të të drejtave të komuniteteve të tjera. Përkundrazi, të drejtat e tyre duhet të garantohen plotësisht. Por trajtimi i të gjitha komuniteteve sikur kanë të njëjtën peshë demografike dhe politike nuk prodhon domosdoshmërisht barazi.
Pas kësaj qëndron një problem më i thellë: doktrina e refuzimit të barazisë së plotë politiko-juridike mes dy popujve më të mëdhenj në Maqedoninë e Veriut. Një shtet që pretendon të funksionojë mbi parimet e demokracisë multietnike dhe të ndarjes së pushtetit nuk mund ta trajtojë përfaqësimin politik të shqiptarëve si çështje të vullnetit të partisë që siguron 61 deputetë.
Marrëveshja e Ohrit nuk u arrit për ta kthyer përfaqësimin shqiptar në dekor të shumicës parlamentare. Ajo ndryshoi mënyrën se si duhej të funksiononte shteti, duke njohur nevojën për mekanizma që pengojnë mbivotimin e njëanshëm dhe sigurojnë pjesëmarrje reale në vendimmarrje. Fryma e saj nuk mund të reduktohet në aritmetikën e formimit të qeverisë.
Natyrisht, Kushtetuta nuk ia rezervon pjesëmarrjen në qeveri një partie të caktuar shqiptare. Por këtu qëndron dallimi mes asaj që është juridikisht e mundshme dhe asaj që është politikisht legjitime. Shumica parlamentare mund ta zgjedhë qeverinë. Ajo nuk mund ta zëvendësojë vullnetin politik të shqiptarëve dhe të pretendojë se vetë përcakton se kush gëzon legjitimitetin për t’i përfaqësuar.
Prandaj, partitë politike shqiptare duhet të jenë të bashkuara në mbrojtje të këtij parimi, pavarësisht se kush është në pushtet dhe kush në opozitë. Sot kjo logjikë mund t’i konvenojë njërës parti, nesër tjetrës. Por nëse pranohet si rregull, të gjitha humbin. Humbin autonominë politike dhe, bashkë me të, arsyen e ekzistencës së tyre si përfaqësuese të një vullneti të veçantë politik.
Nëse partitë shqiptare nuk janë në gjendje ta mbrojnë legjitimitetin e tyre politik, atëherë nuk ka pse të hartojnë programe, të garojnë në zgjedhje dhe t’u japin premtime qytetarëve. Mjafton të presin se cilën prej tyre do ta përzgjedhë fituesi i zgjedhjeve në bllokun politik maqedonas.
Por atëherë nuk po flasim më për përfaqësim politik. Po flasim për përzgjedhje të përfaqësuesve nga pushteti.
Dhe këtë model shqiptarët e kanë njohur dikur. E dinë edhe si ka përfunduar.