Një grua dhe një burrë (motër e vëlla) u vranë dje në Livoç të Poshtëm të Gjilanit, ndërsa dyshohet se autor i vrasjes është bashkëshorti i gruas. Nga të shtënat me armë zjarri mbeti i plagosur edhe një person tjetër.
Për rastin, Policia ka ndaluar një person të dyshuar, ndërsa Prokuroria Themelore në Gjilan ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të vrasjes së dyfishtë.
Një familjar i afërt i viktimave ka thënë se më herët nuk kishin pasur probleme të mëdha, ndërsa sipas tij, shkak i ngjarjes dyshohet të ketë qenë xhelozia e bashkëshortit të viktimës.
Familjari ka treguar se djali i vrarë ishte djali i vetëm i familjes.
Ndërkohë, nesër pritet të mbahet cermonia e varrimit e të dy viktimave.
Ndryshe, dy persona kanë mbetur të vrarë dhe një tjetër është plagosur të premten në fshatin Livoç i Ulët të Gjilanit, pasi dyshohet se janë qëlluar me armë zjarri nga një burrë.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, i dyshuari është arrestuar pas ngjarjes. Viktimat që kanë ndërruar jetë janë bashkëshortja e tij dhe vëllai i saj, ndërsa i plagosur ka mbetur djali i axhës së bashkëshortes.