Prokuroria jep detaje për kanosjen e gazetarit Lirim Mehmetaj nga Gani Geci
Foto: Nacionale
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dalë me një komunikatë për media në lidhje me rastin e kanosjes ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj nga ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Gani Geci.

Në njoftim, thuhet se sipas dyshimeve “i dyshuari G.G., ka kanosur gazetarin L.M., për shkak të ushtrimit të detyrës dhe profesionit të tij”.

Prokuroria ka bërë me dije se janë intervistuar Mehmetaj dhe Geci në lidhje me rastin.

Si nisi gjithçka?

“Në kuadër të veprimeve hetimore, janë intervistuar i dëmtuari L.M., dhe i dyshuari G.G. me qëllim të grumbullimit dhe mbledhjes së informatave relevante lidhur me rastin. Gjithashtu, Prokurori i çështjes ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave dhe sigurimit të provave relevante për zhvillimin e procedurës së mëtejshme”, thuhet në njoftim.

Çka dihet për rastin?

Gazeta Nacionale raportoi se ish-deputeti i LDK-së ishte shoqëruar mbrëmjen e kaluar nga Policia, pasi kishte shkuar në ambientet e Televizionit Dukagjini, ku gazetari Lirim Mehmetaj po zhvillonte një debat me deputetin e PDK-së, Përparim Gruda.

Në fund të emisionit “Debat Plus”, autori i tij, Ermal Panduri, e kishte njoftuar Mehmetajn se dikush nga familja Geci kishte ardhur në televizion dhe po e priste jashtë. Ndërkohë, në oborr ndodhej edhe Policia e Kosovës.

Më pas, Mehmetaj ka treguar se një ditë më parë ishte kërcënuar nga familja Geci. Sipas tij, kjo kishte ndodhur pas një postimi kritik ndaj deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci.

Duke dhënë detaje për rastin, Mehmetaj ka deklaruar se ishte kontaktuar nga anëtarë të familjes Geci, të cilët, sipas tij, i kishin kërkuar ta hiqte shkrimin.

“Prej familjes Geci mua më kanë thirrë, më kanë thënë me hjekë postimin. Unë i kam thënë jo”, ka deklaruar Mehmetaj.

Ai ka treguar se, pas një takimi në zyrën e tij, kërkesa për heqjen e postimit ishte përsëritur. Sipas tij, atij i ishte kërkuar edhe ndryshimi i përmbajtjes, por ai kishte refuzuar.

Mehmetaj ka deklaruar se gjatë takimit kishte pasur kërcënime, të cilat më pas i kishte raportuar te organet e rendit.

“Në mëngjes kam shku në polici, e kam njoftu rastin”, ka deklaruar ai, duke theksuar se kishte zgjedhur rrugën institucionale për ta trajtuar çështjen.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume