Bournemouthi ka ndryshuar në mënyrë drastike qëndrimin lidhur me të ardhmen e mesfushorit të tij yll, Alex Scott, duke hapur dyert për një largim të mundshëm në janar.
Reprezentuesi anglez ka qenë objektiv i interesimit të madh nga klubet elitare të Premierligës, por “Qershitë” do ta lejojnë largimin e tij vetëm nëse plotësohen kërkesat e tyre të larta financiare.
Bournemouth tashmë është i hapur ndaj mundësisë së shitjes së mesfushorit të Anglisë, Scott, gjatë afatit kalimtar të janarit, me kusht që klubet e interesuara t’i plotësojnë disa kërkesa specifike.
23-vjeçari ka shprehur hapur dëshirën për një sfidë të re, pasi raportohet se ka refuzuar dy oferta shumë të majme për vazhdimin e kontratës drejt fundit të sezonit të kaluar.
Ndonëse klubi fillimisht mbajti një qëndrim të prerë se lojtari “nuk është në shitje” gjatë gjithë verës dhe edhe gjatë pushimit të fundit për ndeshjet e kombëtareve, një raund i fundit bisedimesh mes drejtuesve të klubit dhe përfaqësuesve të lojtarit ka sjellë një ndryshim të rëndësishëm të qëndrimit.
Sipas “BBC”-së, drejtues të lartë të klubit kanë bërë të ditur se Bournemouth do të ishte i gatshëm ta lejonte largimin e Scottit nëse paraqitet një ofertë në vlerë prej rreth 100 milionë funtesh.
Ky vlerësim pasqyron gjendjen aktuale të tregut për mesfushorët qendrorë të nivelit të lartë, ku çmimet janë rritur me shpejtësi gjatë 18 muajve të fundit.
Megjithatë, klubi nga bregdeti jugor i Anglisë nuk do të detyrohet ta shesë lojtarin vetëm për përfitime financiare.
Stafi teknik dhe drejtuesit e klubit e kanë bërë të qartë se çdo marrëveshje në mes të sezonit do të varet nga pozita e ekipit në kampionat, pasi nuk do të dëshironin ta humbnin një aset kaq të rëndësishëm nëse do të gjendeshin në një betejë të vështirë për mbijetesë.
Ky zhvillim vjen pas një vere me spekulime të shumta, gjatë së cilës secili prej gjashtë klubeve të mëdha të Premierligës kontaktoi për të pyetur për ish-lojtarin e Bristol Cityt.
Pavarësisht interesimit të gjerë, Bournemouthi këmbënguli që ta ruante grupin kryesor të lojtarëve, pasi më herët kishte insistuar se talentet e çmuara si Scott dhe Rayan Eli Junior Kroupi do të qëndronin në klub të paktën deri në vitin 2027.
Chelsea dhe Liverpooli mbeten favoritët për nënshkrimin e Scottit, pasi të dy klubet e kanë përcjellë nga afër zhvillimin e mesfushorit që prej transferimit të tij te Bournemouth për 25 milionë funte në vitin 2023. Chelsea ishte klubi më këmbëngulës në ndjekjen e tij gjatë afatit kalimtar të verës, kur paraqiti disa oferta për Scottin, të cilat në fund u refuzuan.
Një ofertë fillestare prej 60 milionë funtesh, e cila mund të rritej deri në 64 milionë me bonuse të ndryshme të lidhura me paraqitjet, u refuzua menjëherë nga Bournemouth, i cili vlerësoi se kjo shumë e nënvlerësonte ndjeshëm potencialin e lojtarit dhe statusin e tij si reprezentues i Anglisë.
Edhe Liverpooli besohet se është në një pozitë të fortë nëse vendos ta konkretizojë interesimin e tij të kahershëm gjatë afatit kalimtar të dimrit.
“Të Kuqtë” përfitojnë nga marrëdhëniet e konsoliduara të Andoni Iraolas me klubin, ndërsa ekziston bindja se Scott do të përshtatej natyrshëm me sistemin taktik që po zbatohet në “Anfield”.