Përfaqësuesi i Përhershëm i Turqisë në Kombet e Bashkuara (OKB), Ahmet Yildiz i bëri thirrje Izraelit që t’i japë fund “akteve të pamatura” në Siri dhe të pajtohet plotësisht me Marrëveshjen e Shkëputjes të vitit 1974, transmeton Anadolu.
“Stabiliteti i qëndrueshëm është thelbësor për Sirinë për të rindërtuar ekonominë e saj, për të tërhequr investime dhe për të marrë pjesë në projektet rajonale të energjisë dhe lidhjes”, tha Yildiz në një sesion të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të hënën.
“Shkeljet e vazhdueshme të Izraelit të sovranitetit dhe integritetit territorial të Sirisë minojnë këto perspektiva dhe tregojnë shpërfillje të ligjit ndërkombëtar”, tha Yildiz.
“Situata është veçanërisht alarmante në jug të Sirisë, ku inkursionet e vazhdueshme ushtarake dhe veprimet dhe fjalët ekspansioniste po dalin jashtë kontrollit”, shtoi ai. Yildiz tha se rifillimi i fundit i aktiviteteve të Izraelit përgjatë të ashtuquajturës linja “Sufa 53” në Quneitra është përpjekje e mëtejshme për të minuar marrëveshjen e vitit 1974 dhe për të imponuar një fakt të kryer në terren.
“Këto veprime të pamatura duhet të ndalen”, tha ai. Yildiz i kërkoi Izraelit të respektojë marrëveshjen e vitit 1974 dhe rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit, veçanërisht Rezolutën 497 dhe të tërhiqet nga Golani i pushtuar sirian.
“Një Siri e qëndrueshme, sovrane dhe e bashkuar, e aftë për të siguruar kufijtë e saj, për të mposhtur organizatat terroriste dhe për të kontribuar në paqen rajonale dhe bashkëpunimin ekonomik, u shërben interesave të të gjithëve, përfshirë Izraelin”, shtoi ai.
“Shpërbërja e të ashtuquajturës SDF ka hapur kapitull të ri në procesin e integrimit. Marrëveshjet e mbetura duhet të finalizohen dhe të zbatohen plotësisht pa vonesë, në një mënyrë që përforcon sovranitetin, unitetin dhe kohezionin social të Sirisë”, shtoi Yildiz.
Ai e përshkroi luftën kundër terrorizmit si “prioritet kritik” dhe përshëndeti bashkëpunimin e Damaskut me koalicionin global për humbjen e qëndrueshme të ISIS (DEASH). “Siguria dhe rimëkëmbja ekonomike duhet të përparojnë dorë për dore”, tha Yildiz.
Sa i përket refugjatëve, ai tha se numri i sirianëve nën mbrojtje të përkohshme në Turqi dikur i kalonte 4 milionë dhe tani është rreth 2.2 milionë. Yildiuz tha se kthimet kanë qenë graduale për shkak të kushteve ekonomike, shqetësimeve të sigurisë dhe inkursioneve izraelite.
Që nga rënia e Bashar al-Assadit më 8 dhjetor 2024, Izraeli ka zgjeruar operacionet e tij ushtarake në Siri, duke lëvizur trupat në zonën tampon të Golanit dhe pozicionet e afërta. Siria kërkon tërheqjen e forcave izraelite nga zonat e pushtuara dhe ruan angazhimin e saj ndaj Marrëveshjes së Shkëputjes të vitit 1974. Izraeli pretendon se lëvizjet e tij drejtohen nga konsideratat e sigurisë.
– Siria: “Vetëm një rrugë drejt sigurisë”
Duke folur në të njëjtën seancë, përfaqësuesi i Sirisë në OKB, Ibrahim Olabi tha se ata që pretendojnë se kërkojnë siguri “nuk duhet të vrasin qytetarë sirianë brenda territorit sirian”.
“Ata duhet ta dinë shumë mirë se ka vetëm një rrugë drejt sigurisë, që është legjitimiteti ndërkombëtar dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit (OKB-së)”, tha i dërguari.
“Sa herë që hapin zjarr ndaj Sirisë, ata, siç e ka dëshmuar bota, në të njëjtën kohë hapin zjarr ndaj vetvetes në nivel lokal dhe ndërkombëtar”, shtoi ai.
Olabi kërkoi mbështetje për rimëkëmbjen ekonomike, investimet, krijimin e vendeve të punës dhe rindërtimin. Ai bëri thirrje për ndihmë për rehabilitimin e shkollave, spitaleve dhe rrjeteve të ujit dhe energjisë elektrike dhe për burime dhe ekspertizë për të pastruar minat dhe mbetjet e tjera të luftës.