Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në një intervistë për emisionin „Klik Plus“ në TV21, duke folur për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, theksoi se ato janë të mundshme, pasi në politikë nuk duhet thënë kurrë „kurrë“. Megjithatë, ai nënvizoi se Qeveria po punon për një mandat të plotë katërvjeçar, ndërsa VMRO-DPMNE si parti është gjithmonë e gatshme për zgjedhje.
Kryeministri Mickoski shtoi se në politikë nuk duhet të përjashtohet asnjë mundësi, duke e cilësuar si gabim të madh qëndrimin kategorik ndaj zhvillimeve të ardhshme politike. Sipas tij, gjithmonë duhet të lihet një derë e hapur për çdo opsion politik, njofton TS.
„Ajo që dua të them dhe që e them është se kjo Qeveri ka mandat katërvjeçar. Ne flasim për fundin e mandatit dhe nëse paga mesatare mund të arrijë në 60.000 denarë. Unë them: mundet, por edhe mund të mos ndodhë. Megjithatë, do të bëjmë gjithçka për t’iu afruar kufirit prej 60.000 denarësh. Ne si parti politike jemi gjithmonë të gatshëm për zgjedhje, por po punojmë për një mandat të plotë katërvjeçar, për të cilin kemi marrë legjitimitetin nga qytetarët“, theksoi Mickoski.
Duke folur për partnerin e koalicionit qeveritar VLEN, kryeministri u shpreh shumë i kënaqur me punën e ministrave të tij, duke theksuar se bashkëpunimi brenda Qeverisë funksionon në frymë partneriteti.
„Ne funksionojmë si partnerë në Qeveri dhe jam i kënaqur me punën e përfaqësuesve të VLEN-it. Jam absolutisht shumë më i kënaqur me kapacitetin e këtyre njerëzve sesa me kapacitetin e ministrave të BDI-së pas 20 vitesh në pushtet“, deklaroi Mickoski.