Gjatë ditës së sotme, trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti ka thënë disa fjalë për yllin e kombëtares së Kosovës, Edon Zhegrovën.

Trajneri juventin ka folur për Zhegrovën, në konferencën për shtyp, para ndeshjes me Lazion.

Spalletti në një anë e ka lavdëruar Zhegrovën, e në anën tjetër e ka kritikuar pak.

Ai ka thënë se Zhegrova është shumë i mirë në anën e sulmit, mirëpo nganjëherë në mbrojtje nuk tregon atë çka duhet.

“Zhegrova ka aftësinë të jetë shkatërrues për shkak të karakteristikave të tij dhe mënyrës se si luan. Lëvizjet e tij janë të paparashikueshme për kundërshtarët, por ndonjëherë janë të paparashikueshme edhe për vetë atë!”, ka thënë ai fillimisht.

“Ai e driblon një mbrojtës pa e ditur domosdoshmërisht se ku do të përfundojë. Është i gatshëm t’i ndryshojë planet gjatë një aksioni dhe sërish të gjejë një zgjidhje. Megjithatë, ai nuk arrin gjithmonë ta ruajë ekuilibrin taktik të skuadrës”, shtoi tutje Spalletti.

“Ai mund ta gjejë hapësirën e tij në skuadër nëse arrijmë ta vendosim ekuilibrin e duhur në anën e kundërt të fushës. Bazuar në atë që na ka treguar, Zhegrova do ta kishte merituar më shumë kohë lojë”, e mbylli Spalletti, kur foli për Zhegrovën.

Zhegrova ka luajtur në pesë ndeshje deri më tani për Juventusin në këtë edicion, duke shënuar dy gola e duke dhuruar një asistim në 117 minuta në këmbët e tij.

Ai mezi u fut në listën e lojtarëve të Serie A për këtë edicion, pasi Juventusi kishte bërë plane ta shesë atë gjatë verës që e lamë pas.

Në listën e Ligës së Evropës, Zhegrova nuk është fare i përfshirë, andaj nuk ka luajtur në dy ndeshjet e “Zonjës së Vjetër” në këtë kompeticion sivjet.

Zhegrova shkëlqeu edhe me fanellën e Kosovës në ndeshjen e muajit shtator-tetor, duke shënuar një gol e duke dhuruar një asistim, por mbi të gjitha duke dhuruar magji në fushën e lojës.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume