Ministria e energjisë, minierave dhe burimeve minerale prezantoi ligjet e reja për minierat dhe gjeologjinë në një debat publik në Odën Ekonomike, me fokus në harmonizimin me standardet evropiane, digjitalizimin dhe menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore.
Zgjidhjet ligjore synojnë rritjen e sigurisë juridike, nxitjen e investimeve, procedura administrative më efikase dhe forcimin e mbrojtjes së mjedisit. Ato u përgatitën përmes konsultimeve me palët përkatëse, u publikuan në ENER dhe iu nënshtruan një shqyrtimi ndërkombëtar nga ekspertë.
Me Ligjin e veçantë për Gjeologjinë vendoset një kornizë sistematike për kërkimet gjeologjike dhe menaxhimin e të dhënave, ndërsa krijimi i Sistemit Informativ Maqedonas të Minierave dhe Gjeologjisë (MakRGIS) do të mundësojë digjitalizimin dhe qasje më të lehtë në informacion.
Ligji për Minierat parashikon zbatimin e Strategjisë për Lëndët e Para Minerale, mekanizma për mbështetjen e projekteve strategjike dhe harmonizimin me politikat evropiane për lëndët e para kritike. Në fushën e mbrojtjes së mjedisit, zgjidhjet e reja ligjore vendosin detyrimin për të siguruar garanci financiare 100% për sanimin dhe rikultivimin. Kjo i mundëson shtetit të mbulojë plotësisht shpenzimet për rehabilitimin e zonës pas përfundimit të shfrytëzimit. Njëkohësisht, vendosen rregulla moderne për menaxhimin e mbetjeve minerare, plane të detyrueshme për mbylljen e minierave dhe rikultivimin, si dhe masa për sanimin e zonave minerare historikisht të degraduara. Në këtë mënyrë forcohen mekanizmat për mbrojtjen e mjedisit dhe sigurohet shfrytëzim më i përgjegjshëm dhe i qëndrueshëm i burimeve minerale.
Në debatin publik foli edhe sekretari shtetëror në Ministri, Goran Jovanovski, i cili theksoi se zgjidhjet e reja ligjore përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një kornize moderne dhe funksionale për zhvillimin e minierave dhe gjeologjisë.
„.Synojmë të krijojmë një kornizë ligjore që do t’u garantojë siguri juridike subjekteve ekonomike, do të nxisë investimet dhe do të mundësojë menaxhimin e përgjegjshëm të lëndëve të para minerale. Përmes rregullave moderne, digjitalizimit dhe mekanizmave të forcuar për mbrojtjen e mjedisit, po krijojmë kushte për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit mineraro-gjeologjik”, theksoi Jovanovski
Në debatin publik u theksua rëndësia e bashkëpunimit me sektorin e biznesit për zbatimin e reformave dhe krijimin e një mjedisi të parashikueshëm për biznesin, me synim zhvillimin e një sektori modern dhe të qëndrueshëm mineraro-gjeologjik.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume