Zelensky akuzon SHBA-në për vonesa në dërgimin e raketave Patriot, tensionet mes Uashingtonit dhe Kievit thellohen
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka akuzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës se po vonojnë qëllimisht dërgimin e raketave interceptuese për sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot, të cilat janë të destinuara për Ukrainën.
Deklarata vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes Kievit dhe Uashingtonit janë tensionuar për shkak të ndihmës ushtarake dhe shkëmbimit të informacioneve të inteligjencës, ndërsa sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike ukrainase vazhdojnë.
Zelensky u ka thënë senatorëve amerikanë se Pentagoni po e vonon dorëzimin e raketave, për të cilat tashmë kanë paguar vendet evropiane. Sipas tij, dërgesa është në pritje të nënshkrimit të sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, shkruan Euronews, transmeton “Bota sot”.
Ai bëri të ditur se disa vende evropiane janë të gatshme të transferojnë raketa interceptuese Patriot nga rezervat e tyre, por ende nuk kanë marrë miratimin e nevojshëm nga SHBA-ja.
“Raketat janë gati dhe tashmë mund të ishin në Ukrainë. Por, për fat të keq, ende nuk ka miratim”, deklaroi Zelensky.
Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara kanë mohuar se kanë ndryshuar politikat e shkëmbimit të informacioneve të inteligjencës me Ukrainën.
Përplasje të reja mes Trumpit dhe Zelenskyyt
Marrëdhëniet mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe homologut të tij ukrainas janë përkeqësuar edhe më tej, në një kohë kur përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës kanë ngecur.
Uashingtoni ka zhvendosur një pjesë të vëmendjes drejt luftës me Iranin, ndërsa përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit më vdekjeprurës në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore nuk kanë prodhuar përparimin e pritur.
Përplasjet publike mes Trumpit dhe Zelenskyyt janë shtuar pas vendimit të presidentit amerikan për të lehtësuar pjesërisht sanksionet, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje për furnizimin me naftë dizel me presidentin rus, Vladimir Putin.
Trump e ka kritikuar gjithashtu Zelenskyyn për sulmet ukrainase ndaj rafinerive ruse të naftës, duke e akuzuar se po kontribuon në vazhdimin e luftës.
“Zelenskyy nuk e di për çfarë po flet”, deklaroi Trump të hënën, duke sulmuar sërish homologun e tij ukrainas.
“Për të qenë i sinqertë, mendoj se ka ardhur koha që dikush tjetër të negociojë në emër të Ukrainës”, shtoi presidenti amerikan.
Trump ka deklaruar se është i gatshëm të takohet me Putinin dhe presidentin kinez, Xi Jinping, në Kinë muajin e ardhshëm, për të diskutuar çështjen e çarmatimit bërthamor. Ai ka lënë të hapur mundësinë që bisedimet të përfshijnë edhe luftën në Ukrainë.
Kjo ka shtuar shqetësimet në Kiev se Ukraina mund të lihet jashtë negociatave që përcaktojnë të ardhmen e saj.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka konfirmuar se mundësia e një takimi të tillë është përmendur, ndërsa ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, paralajmëroi se një takim i tillë “vetëm do ta inkurajonte Putinin ta vazhdonte këtë luftë”.
I dërguari amerikan pritet të takohet me Zelenskyyn
Sipas raportimit të mediumit amerikan Axios, i dërguari i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, pritej të udhëtonte të martën drejt Oslos, ku do të takohej me Zelenskyyn dhe liderë evropianë, përpara se të vazhdonte drejt Rusisë për t’u takuar me Putinin.
Zhvillimet diplomatike vijnë në një periudhë kur Kievi po kërkon garanci më të forta nga partnerët perëndimorë, si për mbrojtjen ajrore, ashtu edhe për vazhdimin e mbështetjes ushtarake.
Ndërkohë, Trump ka mohuar se ka urdhëruar kufizime në rrjetin satelitor amerikan Starshield, të zhvilluar nga kompania SpaceX e Elon Musk, pasi ky i fundit deklaroi se një vendim i tillë mund të vinte vetëm nga Shtëpia e Bardhë.
Sulmet ruse lënë qindra mijëra njerëz pa energji elektrike
Ndërsa përplasjet diplomatike vazhdojnë, sulmet e fundit ruse kanë goditur sërish objektet energjetike dhe infrastrukturën në pjesë të ndryshme të Ukrainës.
Sipas autoriteteve ukrainase, më shumë se 500 mijë persona kanë mbetur pa energji elektrike, duke detyruar ekipet e emergjencës të nisin riparimet në rrjetin energjetik të dëmtuar nga sulmet e përsëritura.
Zelenskyy u ankua se Ukraina nuk kishte marrë paralajmërim paraprak nga partnerët për sulmet e fuqishme ruse, të cilat shënjestruan edhe objektet energjetike në rajonin e kryeqytetit.
“Edhe një herë, nuk pati paralajmërim paraprak nga partnerët tanë”, deklaroi ai, teksa foli për dëmet, viktimat dhe të plagosurit.
Autoritetet ukrainase njoftuan gjithashtu se një sulm pranë qytetit të Kharkivit, në verilindje të vendit, vrau gjashtë persona, mes tyre tre fëmijë.
Të hënën, Zelenskyy zhvilloi edhe një bisedë telefonike me Papa Leonin XIV, disa ditë pasi kreu i Kishës Katolike kishte zhvilluar një bisedë të ngjashme me Putinin.
Sipas Vatikanit, Papa u bëri thirrje të dyja palëve të lejojnë dërgimin e ndihmave në qytetin Oleshky, të pushtuar nga Rusia, si dhe të mundësojnë largimin e civilëve nga zona.
Ndërkohë, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, mohoi gjatë një vizite në Uzbekistan se SHBA-ja kishte ndërprerë shkëmbimin e informacioneve të inteligjencës me Ukrainën. Ai mbështeti gjithashtu thirrjen e Trumpit që Zelenskyy të përqendrohet në përfundimin e konfliktit.