“Volkswagen” ka njoftuar tërheqjen nga tregu të rreth 72 700 automjeteve elektrike në mbarë botën për shkak të defekteve në bateri, sipas të dhënave të publikuara sot nga Autoriteti Federal Gjerman i Transportit Motorik (KBA).
Rreth 10 000 automjete janë prekur në Gjermani, kryesisht modele të linjës ID.
Problemi u zbulua gjatë kontrolleve të brendshme të cilësisë, të cilat treguan se disa qeliza të baterive me tension të lartë në automjete të caktuara nuk përmbushin standardet e kërkuara.
Sipas kompanisë, defektet lidhen me procesin e prodhimit te furnizuesit dhe prekin një periudhë të kufizuar prodhimi.
“Volkswagen” paralajmëroi se në raste të rralla defekti mund të shkaktojë mbinxehje të baterive dhe, në situata ekstreme, zjarr.
Modelet e prekura përfshijnë ,ID.3, ID.4, ID.7 dhe ID.Buzz, të prodhuara në periudha të caktuara nga viti 2022 deri në vitin 2025, si dhe Cupra Born, e prodhuar nga filiali spanjoll Cupra gjatë viteve 2022–2024.
Si masë e menjëhershme sigurie, kompania ka kufizuar në 80% nivelin maksimal të karikimit të automjeteve të prekura, deri në kontrollin e tyre në servis.
Sipas “Volkswagen”, zëvendësimi i moduleve të baterive mund të mos jetë i nevojshëm në çdo rast, pasi problemi mund të zgjidhet edhe përmes një përditësimi të softuerit.
Kjo është hera e dytë këtë vit që “Volkswagen” dhe “Cupra” tërheqin automjete për probleme me bateritë.
Në mars, të dyja kompanitë thirrën në servise më shumë se 90 000 makina në mbarë botën, prej të cilave rreth 28 000 në Gjermani.
Ndërkohë, në fund të shtatorit, “Volkswagen” njoftoi një tjetër fushatë të gjerë, duke thirrur në servise pak më shumë se pesë milionë automjete në mbarë botën për shkak të një vide në sistemin e drejtimit, e cila ishte e prirur ndaj korrozionit.