Raporti i DASH-it lidhur me trafikimin e qenieve njerëzore në Kosovë, thekson se Qeveria e Kosovës nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit me qenie njerëzore, por është duke bërë përpjekje të konsiderueshme për përmbushjen e tyre.

Në emisionin “Ora Shtatë”, gazetarët Donjeta Murseli dhe Vullnet Krasniqi diskutuan për këtë fenomen, transmeton Klankosova.tv.

Sipas Murselit, pre e trafikimit janë fëmijët ose personat që jetojnë në gjendje të rëndë ekonomike.

“Zakonisht, viktimat e trafikimit munden me qenë fëmijët, ose kategoritë e shoqërisë që janë më të cenueshme, munden me qenë personat që jetojnë në gjendje të rëndë financiare, në kushte të vështira ekonomike, të cilët për arsye ekonomike shfrytëzohen nga persona të caktuar, për shembull për lëmoshë. Persona të caktuar ‘i rekrutojnë’ në premtim të një pune, madje edhe raporti thotë që shumica e viktimave të trafikimit kanë rënë pre e premtimit për një punë”, u shpreh Murseli.

Ndërsa Krasniqi tha se sa i përket trafikimit të qenieve njerëzore që shfrytëzohen për lëmoshë, sipas tij, duhet një hetim serioz për të kuptuar nëse ka rrjet pas tyre, pasi siç tha gazetari, shumica e personave që kërkojnë lëmoshë janë familje.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume