Më lejoni që, në fillim, në emrin tim personal dhe në emër të Kuvendit, t’ju përshëndes dhe
t’ju uroj mirëseardhje të përzemërt në Kuvend, në këtë ngjarje të organizuar me qëllim
zhvillimin e diskutimit tematik për ndryshimet në Ligjin për Avokatin e Popullit.
Të nderuar deputetë, të nderuar përfaqësues të organizatave joqeveritare, shoqatave dhe
mediave, të nderuara zonja dhe zotërinj,
Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë të përshëndes praninë e Ambasadorit dhe Shefit të
Misionit të OSBE-së në Shkup, Sh.T., z. Kilian Val; Ambasadorit dhe Shefit të Delegacionit
të Bashkimit Evropian në Shkup, Sh.T., z. Mihalis Rokas; Koordinatoren e Përhershme të
Kombeve të Bashkuara në Republikën e Maqedonisë së Veriut, dr. Rita Kolumbia, si dhe
Avokatin e Popullit, z. Faton Selami.

Institucioni i Avokatit të Popullit, i përcaktuar qartë edhe me Kushtetutën e Republikës së
Maqedonisë së Veriut, përfaqëson një mekanizëm të rëndësishëm institucional për
mbrojtjen e të drejtave kushtetuese dhe ligjore të qytetarëve, kur ato cenohen nga organet
e administratës shtetërore, si dhe nga organet dhe organizatat e tjera që ushtrojnë
autorizime publike. Ndërkaq pesha e tij e veçantë qëndron në mbrojtjen e parimeve të
mosdiskriminimit, si dhe përfaqësimit adekuat dhe të drejtë të pjesëtarëve të bashkësive në
organet e pushtetit shtetëror, organet e njësive të vetëqeverisjes lokale dhe në institucionet
dhe shërbimet publike.
Përmbushja e këtij misioni kërkon që Avokati i Popullit të ushtrojë funksionin e tij në mënyrë
të pavarur dhe autonome, pa ndikime në punën dhe veprimtarinë e tij.
Ligji për Avokatin e Popullit që nga miratimi i tij në vitin 2003 është ndryshuar dhe plotësuar
disa herë me radhë dhe pothuajse të gjitha këto ndryshime kanë pasur një qëllim të
përbashkët: promovimin sa më të madh të të drejtave dhe lirive të njeriut, me qëllim
sigurimin e mbrojtjes së tyre më të qëndrueshme. Në këtë drejtim, të gjitha ndryshimet dhe
plotësimet e Ligjit edhe sot, synojnë forcimin dhe zgjerimin e kompetencave, funksionimit
dhe pavarësisë së institucionit, si dhe garantimin e integritetit të plotë në ushtrimin e
funksioneve të tij.

Në fund të fundit, mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe qytetarëve janë një mision fisnik e
rëndësia e një institucioni që bartë mbi vete këtë barrë qëndron tek efektiviteti i veprimtarisë
së tij, dhe mundësia për të përmbushur kompetencat dhe përgjegjësitë që i janë besuar.
Për këtë arsye, gjykoj se një kornizë ligjore e përshtatshme dhe funksionale, është
parakusht për realizimin e misionit të Avokatit të Popullit.
Këtu qëndron rëndësia e këtij takimi të sotëm. Ky debat që po organizohet sot, është
mundësia jonë për të shqyrtuar në mënyrë të hapur dhe profesionale gjitha zgjidhjet e
propozuara, si dhe për të vlerësuar nëse ato i përgjigjen nevojave të institucionit.
Të nderuar të pranishëm,
Në cilësinë e Kryetarit të Kuvendit, jam këtu për të shprehur mbështetjen time institucionale
ndaj institucionit të Avokatit të Popullit, në përpjekjet për përmirësimin e kornizës ligjore që
u mundëson përmbushje të misionit të tyre. Gjithashtu, theksoj se kontributi i
institucioneve, partnerëve ndërkombëtarë, ekspertëve, akademisë, dhe shoqërisë civile
është po aq jetik për të siguruar që këto zgjidhje ligjore janë të zbatueshme, cilësore dhe në
interes të plotë të qytetarëve. Prandaj vlerësoj se pyetja që duhet të udhëheqë diskutimin e
sotëm për ndryshimet në Ligjin për Avokatin e Popullit, duhet t’i përgjigjet pyetjes:

A do të mundësojnë këto ndryshime të propozuara ushtrimin e plotë të kompetencave të
Avokatit të Popullit, a do të mundësojnë përfshirjen e obligimeve dhe standardeve
ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e tyre, dhe mbi të gjitha, a do të na çojë
ky proces drejt një shteti ku e drejta nuk mbrohet vetëm si parim ligjor, por është vlerë e
shenjtë dhe e garantuar në mënyrë të prekshme për çdo qytetar?
Të nderuar,
Kur flasim për të drejtat e liritë, është me rëndësi të kujtojmë një parim të thjeshtë: “Mund t’i
mbrosh të drejtat dhe liritë e tua, vetëm duke mbrojtur të drejtat dhe liritë e tjetrit.”
Mbi këtë parim jam i bindur që buron edhe rëndësia e Avokatit të Popullit. Sepse mbrojtja
dhe respektimi i të drejtave të secilit qytetar, është pjesë e garancisë për të drejtat e të
gjithëve.
Ju faleminderit për vëmendjen dhe ju dëshiroj diskutime të frytshme!

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume