Kryeministri Hristijan Mickoski pret që Samiti i Procesit të Berlinit, që po mbahet në Sveti Stefan, Mali i Zi, të sjellë mesazhe të forta për integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor, diskutime thelbësore dhe rezultate konkrete.
Para fillimit të samitit, Mickoski vlerësoi se Maqedonia prej kohësh i ka merituar perspektivat evropiane, por ende nuk i ka filluar negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian për shkak të, siç tha ai, arsyeve artificiale.
“Dosja e Maqedonisë është shumë komplekse. Prej kohësh e kemi merituar të jemi pjesë e BE-së, por fatkeqësisht, për shkak të disa arsyeve artificiale, ende nuk jemi në gjendje të fillojmë negociatat”, deklaroi Mickoski.
Ai njoftoi se në fjalimin e tij do të theksojë përkushtimin e Qeverisë maqedonase ndaj agjendës së reformave dhe integrimit evropian, duke theksuar se vendi do të vazhdojë të punojë në atë drejtim.
Kryeministri shprehu shpresën se bisedimet në kuadër të samitit do të jenë thelbësore dhe do të rezultojnë me rezultate konkrete dhe frytdhënëse. Ai u ndal edhe te sfidat aktuale globale, mes të cilave përmendi luftën në Ukrainë, konfliktin me Iranin, paqëndrueshmërinë e tregjeve financiare dhe protestat nëpër Evropë, duke vlerësuar se nevojiten përpjekje të përbashkëta për të kapërcyer krizat.
Mickoski drejton delegacionin maqedonas në takimin, ku liderët e Ballkanit Perëndimor diskutojnë për lidhjen ekonomike të rajonit, sigurinë dhe përshpejtimin e integrimit evropian. Në samit merr pjesë edhe kancelari gjerman Friedrich Merz, i cili mbështet perspektivën evropiane të vendeve të rajonit.
Samiti është ngjarja përmbyllëse e presidencës malazeze të Procesit të Berlinit. Programi parashikon seancë plenare me titull “Rajoni në lëvizje: Ballkani Perëndimor formëson të ardhmen e përbashkët të Evropës”, ndërsa ndër temat kryesore janë rritja ekonomike, konkurrueshmëria, siguria dhe tranzicioni i gjelbër e i qëndrueshëm.
Procesi i Berlinit u nis në vitin 2014, me iniciativë të Gjermanisë dhe të atëhershmes kancelare Angela Merkel, me qëllim forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe përshpejtimin e eurointegrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.