Gjykata e Apelit e Kosovës ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtjes së biznesmenit Valon Lluka, kundër vazhdimit të masës së paraburgimit, duke vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë të datës 9 tetor.
Sipas burimeve të Klankosova.tv, mbrojtja kishte kërkuar që masa e paraburgimit të ndryshohej me një masë më të butë, duke pretenduar se nuk ishin plotësuar kushtet ligjore për vazhdimin e saj dhe se nuk ishin vlerësuar siç duhet rrethanat personale dhe familjare të të pandehurit.
Megjithatë, kolegji i Gjykatës së Apelit, e ka vlerësuar ankesën si të pabazuar, raporton Klankosova.tv.
Valon Lluka dyshohet për vepra penale që lidhen me keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar, mashtrimin, lidhjen e kontratave të dëmshme dhe shpërdorimin e pasurisë së huaj.
Bazuar në burimet e Klankosova.tv, mbrojtja ka kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë, duke argumentuar se veprimet e përshkruara lidhen me marrëdhënie biznesore dhe transaksione kontraktuale, e jo me vepra penale. Ajo ka pretenduar gjithashtu se nuk janë paraqitur prova të mjaftueshme që do të justifikonin vazhdimin e paraburgimit dhe se rreziqet e pretenduara mund të neutralizoheshin përmes masave alternative.
Në anën tjetër, Prokuroria e Apelit në Prishtinë kishte propozuar refuzimin e ankesës së mbrojtjes dhe vërtetimin e aktvendimit të shkallës së parë.
Gjykata e Apelit, pas shqyrtimit të pretendimeve të palëve dhe vlerësimit të aktvendimit të kundërshtuar, ka vendosur që masa e paraburgimit të mbetet në fuqi.