Zëvendëskryetari i Parë i Qeverisë dhe ministër për Çështje Evropiane, Bekim Sali, u takua në Bruksel me kryetarin e Komitetit Ekonomik dhe Social Evropian (KESE), Séamus Boland. Në fokus të takimit ishte roli i shoqërisë civile dhe partnerëve socialë në procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian (BE).

Sali theksoi se reformat evropiane duhet të lidhen me nevojat e përditshme të qytetarëve, përfshirë punësimin, mbrojtjen sociale, mundësitë ekonomike dhe cilësinë e shërbimeve publike. Pjesëmarrja e punëdhënësve, sindikatave dhe organizatave të shoqërisë civile ndihmon që reformat të jenë më transparente, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme.

Ministri vlerësoi nismën e KESE për përfshirjen e përfaqësuesve nga vendet kandidate në punën e tij këshillimore, duke e cilësuar si shembull konkret të integrimit gradual para anëtarësimit. Kjo pjesëmarrje mundëson shkëmbimin e përvojave dhe kontributin në diskutimet për politikat evropiane.

Sali shprehu interes për shkëmbime të rregullta ndërmjet Ministrisë për Çështje Evropiane dhe Komitetit, si dhe për bashkëpunim tematik në fushat e aftësive profesionale, punësimit, konkurrueshmërisë dhe përfshirjes sociale. Ai nënvizoi se dialogu me qytetarët dhe partnerët socialë është thelbësor për forcimin e besimit në procesin e integrimit evropian.