Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale e Shqipërisë ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me 4 personat e plagosur këtë të diele në protestë. Mësohet se deri në orën 19:00 në Spitalin e Traumës janë paraqitur 3 të lënduar.
Më tej bëhet me dije se një protestues është shtruar teksa dy personat e tjerë kanë marrë ndihmë mjekësore dhe më pas kanë dalë nga spitali.
Ndërkohë në spitalin “Nënë Tereza” një efektiv policie po merr ndihmë mjekësore.
Njoftimi i plotë:
PËRDITËSIM informacioni mbi të lënduarit gjatë protestës 25 tetor 2026 ora 19:00
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, sipas informacioneve paraprake nga strukturat spitalore informon se gjatë protestës së sotme:
Në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur në total 3 të lënduar.
Aktualisht një protestues i shtruar, një protestues tjetër dhe një efektiv policie kanë marrë trajtimin e nevojshëm dhe kanë lënë spitalin.
Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, është paraqitur 1 efektiv policie, i cili po i nënshtrohet ekzaminimeve të nevojshme.
Protesta para Kryeministrisë herë pas here ka regjistruar situata të tensionuara. Në mes të tensionit dhe hedhjes së vazhdueshme të gurëve, kapsollave dhe gazit lotsjellës, një prej protestuesve ka arritur të marrë mburojën dhe spërkatësin me piper njërit prej efektivëve të policisë, raporton Euronews.al.
Protesta sot (25.10.2026) në Shqipëri ka nisur në orën 14:00, sipas paralajmërimeve të bëra më parë dhe fillimisht situata ishte e qetë dhe pa probleme
Tash e 12 ditë Shqipëria po përballet me protesta të dhunshme, nga ajo që nisi si protestë e studentëve. Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Vetëm mbrëmë pas protestës, 23 persona u arrestuan, 13 të tjerë janë proceduar penalisht dhe 30 janë shpallur në kërkim.
Si pasojë e përplasjeve, disa punonjës policie mbetën të plagosur dhe morën ndihmë mjekësore.Një 28 vjeçar u plagos mbrëmë rëndë në sy gjatë protestës së dhunshme në Tiranë. Ai është bërë e ditur se është dërguar në Itali për trajtim.