Gostivar – Një aksident trafiku me pasoja është regjistruar në Gostivar, ndërsa njëri nga drejtuesit është larguar nga vendi i ngjarjes, raporton Tetovasot.
Ngjarja ka ndodhur më 25 tetor rreth orës 18:30 në rrugën “Vëllezërit Ginovski”, ku një automjet pasagjerësh u përplas me një moped që drejtohej nga një 17-vjeçar.
I mituri pësoi lëndime trupore dhe u dërgua për trajtim në Qendrën Urgjente të Gostivarit.
Gjatë hetimeve, policia konstatoi se 17-vjeçari e kishte drejtuar mopedin pa patentë shoferi.
Sipas informacioneve që ka siguruar Tetovasot, me urdhër të Prokurorisë, ndaj të miturit është ngritur kallëzim për veprën penale “drejtim i pamatur i mjetit motorik”, ndërsa po punohet edhe për identifikimin e automjetit që u largua nga vendi i aksidentit.